Xhaka e konfirmon kontratën e re me Arsenalin: Jam i lumtur që po qëndroj, duam të bëjmë gjëra të mëdha

Granit Xhaka ka konfirmuar se ka nënshkruar kontratë të re me Arsenalin, duke thënë se ndihet i lumtur që ka vendosur të qëndrojë në Emirates.

Përfaqësuesi i Zvicrës në arenën ndërkombëtare Xhaka u përfol bujshëm gjatë gjithë verës se do t’i bashkohej Jose Mourinhos në Romë, por ai do të  vijojë të jetë lojtar i Arsenalit.

Arsenali nuk e ka bërë ende zyrtare marrëveshjen e re me mesfushorin nga Kosova, por Xhaka e konfirmoi atë në një intervistë për uebsajtin e klubit.

“Jam shumë i lumtur, jam ende këtu. E kam nënshkruar një kontratë të re natyrisht dhe dua t’ua shpaguaj këtë, së pari stafit tonë dhe pastaj tifozëve. Ata e dinë se unë do të jap gjithçka nga vetja në çdo lojë dhe në çdo seancë stërvitore”, tha Xhaka.

Marrëveshja e deritanishme e Xhakës do të mbaronte më 2023 dhe besohet se 29-vjeçari ka nënshkruar kontratë të re deri në vitin 2025.

Duke folur në lidhje me fillimin zhgënjyes të sezonit të ri në Premierligë, pas dy humbjeve në dy ndeshjet e para, Xhaka tha se klubi dëshiron të arrijë diçka të madhe dhe se ka kohë për ta bërë këtë.

“Shumë i zhgënjyer. Na u rikthye mbështetja e tifozëve pas një kohe të gjatë dhe donim t’ua shpaguanim atë me diçka. Por sot keni mundur ta shihni pse Chelsea është njëra prej ekipeve më të mira në Evropë. Mendoj se ne duhet të bëjmë diçka të mirë nga sot”, theksoi ai.

Xhaka shtoi: “Ne duam të arrijmë diçka të madhe, natyrisht. Pas dy ndeshjeve shumë njerëz po flasin për këtë ekip dhe për këtë klub, por unë them se asnjë sezon nuk mbaron pas dy apo tri ndeshjeve. Kemi shumë ndeshje para ndesh, ne e dimë se duhet t’i përmirësojmë shumë gjëra dhe jam i sigurt se do ta bëjmë këtë.”

Reklama