Presidenti Trump u tha ndihmësve të tij të lartë të martën vonë se kishte miratuar planet për një sulm ndaj Iranit, por po shtynte dhënien e urdhrit përfundimtar për të parë nëse Teherani do të braktiste programin e tij bërthamor, raportoi Wall Street Journal, duke cituar tre persona të njohur me diskutimet.
Sistemi i pasurimit berthamor Fordow në Iran, i mbrojtur mirë, është një objektiv i mundshëm i ShBA-së, sipas prestigjiozes amerikane.
Izraeli ende nuk e ka sulmuar këtë objekt, i cili është ndërtuar nën një mal dhe konsiderohet gjerësisht nga ekspertët ushtarakë si jashtë mundësive të çdo arme përveç bombave më të fuqishme.
I pyetur më herët nëse kishte vendosur për të goditur objektet bërthamore të Iranit, Trump tha: “Mund ta bëj, mund të mos e bëj.”
Dhe përsëriti këmbënguljen e tij për dorëzimin pa kushte të Iranit: “Java tjetër do të jetë shumë e madhe, ndoshta edhe më pak se një javë.”
Më herët, Udhëheqësi Suprem Iranian, Ayatollah Ali Khamenei, tha se vendi i tij nuk do të dorëzohej dhe paralajmëroi se çdo ndërhyrje ushtarake nga SHBA do të sillte pasoja të pariparueshme.
Ushtria amerikane ka shtuar praninë e saj në Lindjen e Mesme gjatë ditëve të fundit. Një shkatërrues i tretë i Marinës Amerikane ka hyrë në detin Mesdhe lindor dhe një grup i dytë sulmues aeroplanmbajtës po shkon drejt detit Arabik.
Ndërsa Pentagoni tha se ky grumbullim forcash është thjesht mbrojtës, ai e vendos ShBA-në në një pozitë më të favorshme nëse Trump vendos të bashkohet me sulmet izraelite ndaj Iranit.
Kjo, sipas ekspertëve, mund të jetë një taktikë për të ushtruar presion mbi Iranin që të dorëzohet ose të bëjë lëshime.
Izraeli dhe Irani kanë vazhduar shkëmbimet e zjarrit dhe numri i të vdekurve në Iran ka kaluar 450, sipas një grupi për të drejtat e njeriut. Në Izrael, 24 persona kanë humbur jetën si pasojë e sulmeve iraniane.