Eksperti i Ballkanit Perëndimor dhe bashkëpunëtor i lartë në Këshillin për Politikat e Demokratizimit në Berlin të Gjermanisë, Bodo Weber, në një intervistë për Gazetën Sinjali ka deklaruar se nuk pret që çështja e anëtarësimit të Kosovës të jetë në agjendën e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, i cili do të mblidhet më 16 dhe 17 maj në Strasburg.
Weber ka deklaruar se kësisoj do të pa parandalohej një votë negative, votë e pasuksesshme për Kosovën.
Sipas tij, kjo është bërë e qartë pasi shtetet perëndimore i vendosën Kosovës një kusht për ndërmarrjen e hapave konkretë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Ai tutje ka shtuar se optimizmi i demonstruar i Kosovës për këtë çështje është bazuar tërësisht në procesin formal të aplikimit dhe kushtëzimit.
Duke komentuar deklaratën e kryeministrit, Albin Kurti, i cili hodhi poshtë këtë kusht, Weber tha se Kurti ka të drejtë formalisht, por i mungon pika politike në këtë çështje.
Ai shtoi se ka dy arsye potenciale për dështimin e anëtarësimit të Kosovës, ose qeveria sipas tij ka qenë naive duke mos kuptuar pjesën politike të “kushtëzimit”, ose ata e kanë kuptuar, por kanë menduar se mund t’i tejkalojnë kryeqytetet evropiane dhe t’i shtyjnë drejt mbështetjes.
Weber tha se nuk beson se kryeministri Kurti është naiv.