Lidhur me vendimin e Komunës së Prishtinës për rritjen e çmimit të biletave në Trafikun Urban, asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Arianit Beqiri, vlerësoi se Trafiku Urban do duhej të ishte formë lehtësuese për qytetarët.
Madje, Beqiri theksoi faktin që partitë të cilat qeverisin sot në Prishtinë, në fushatat e tyre zgjedhore patën deklaruar se do e bëjnë Trafikun Urban pa pagesë.
“Ne jemi në një fazë ku partitë të cilët po qeverisin sot në Prishtinë, gjatë fushatave të tyre kanë deklaruar se do ta bëjnë Trafikun Urban pa pagesë. Ndërsa, sot po ballafaqohemi me një kohë ku çmimi i biletës është shtrenjtuar për 10 cent. Në situatën ku ndodhemi ne, dy mjetet e transportit që ofrohen në Komunën e Prishtinës, taksitë dhe autobusët, të dyja janë shtrenjtuar. Trafiku Urban do duhej të mendohej si një formë lehtësuese për qytetarët”, tha Beqiri në emisionin “Ditari”.
I pyetur se a mund të jetë rritja e çmimit të naftës dhe e derivateve tjera arsye e mjaftueshme për tu rritur çmimi i biletës, Beqiri tha se absolutisht nuk është një gjë e tillë, pasi siç tha ai, ngritja e derivateve ka ndodhur shumë më herët, jo tani.
“Mund të jetë për shkak se thjesht duan ta rrisin çmimin”, shtoi tutje ai.
Ndërkaq, një qëndrim tjetër pati asamblisti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ajet Brajshori.
Brajshori konsideroi se çmimi i biletës nuk është shtrenjtuar, madje sipas tij, ky është vetëm një lehtësim për qytetarët.
“Unë mendoj që bileta nuk është shtrenjtuar, përkundrazi është një lehtësim për qytetarët. I vetmi shtrenjtim është që nëse e nxjerr biletën prej një vendi në vendin tjetër. Pra, nëse e nxjerr një biletë 80 cent, ajo biletë vlen tërë ditën, në çfarë do linje urbane. Që nënkupton nuk është më shtrenjtë, por më lirë. Nga gjendja e tanishme që kemi, është paraparë që kemi nevojë për një shtrenjtim”, u shpreh Brajshori në Tëvë1.
Sa i përket ankesave të qytetarëve për vonimin e linjave të autobusëve, Brajshori tha se ai personalisht nuk ka ndonjë ankesë nga qytetarët.