Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar pas vendimit të PZAP që të mos anulohen votat nga diaspora dhe të ripërsëritet votimi atje. Partia e Albin Kurtit përmes një postimi në Facebook ka shkruar se PZAP ndërron afatet që t’i ikë vendimit për rivotimin me postë.
VV vendimin e PZAP e quan pozicion arbitrar dhe i pashpjegueshëm, ndërsa thotë se shkeljet e shumta e manipulimi flagrant i procesit të votimit përmes postës sipas tyre nga ana e LDK-së nuk mund të anashkalohet.
“Njoftimi i sotëm nga ana e PZAP-së se ankesa jonë për anulimin e fletëvotimeve të dërguara me postë dhe rivotimin përmes postës është e paafatshme, është pozicion arbitrar dhe i pashpjegueshëm i PZAP. Vendimi në fjalë nuk respekton njoftimin zyrtar të KQZ për momentin e përfundimit të të gjitha numërimeve në QNR dhe kështu bie ndesh me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, rregullat e KQZ-së, si dhe me praktikat e deritanishme të parashtrimit e shqyrtimit të ankesave për cenim të procesit zgjedhor. Justifikimi i PZAP-së se kinse ankesa është e pasafatshme, është qartazi tendencë për t’i ikur përgjegjësisë institucionale e ligjore për të mbrojtur integritetin e procesit zgjedhor. Shkeljet e shumta e manipulimi flagrant i procesit të votimit përmes postës nga ana e LDK-së nuk mund të anashkalohet”, thuhet në reagim.
Vetëvendosje tutje thotë se do të ushtrojë ankesë në afatin e paracaktuar pas shpalljes së rezultateve.
Postimi i plotë: