VV-ja e quan provokim nisjen e ndërtimit të Universitetit paralel, thonë se do t’i kundërpërgjigjen

Provokim e ka quajtur deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Fitim Uka, nisjen e ndërtimit të objektit të përhershëm të të ashtuquajturit “Universiteti i Prishtinës me seli të përkohshme në Mitrovicë”.

Uka, i cili është edhe anëtar i Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport, në një deklarim për Gazetën “Enigma”, ka thënë se së shpejti Qeveria e Kosovës do t’i kundërpërgjigjet këtij provokimi të radhës nga ana e Serbisë.

“Ky është një provokim tjetër i radhës që vjen prej Qeverisë, dhe ditëve në vijim do ta merr edhe përgjigjen prej Qeverisë së Kosovës”, ka thënë deputeti Uka.

Ndërkohë të premten më 20 gusht, nisi në veri të Mitrovicës, investimi në mbi 6 milionë euro, i cili po bëhet nga Qeveria e Serbisë përmes Zyrës për Kosovën, që funksionon në kuadër të saj.

Drejtori i kësaj zyre, Petar Petkoviq, gjatë një vizite në Kosovë, hodhi gurthemelin për ndërtimin e Universitetit të premten (20 gusht) në Mitrovicën Veriore.

“Ky është gurthemel i harmonisë unitetit të popullit tonë në Kosovë, dhe për këtë sot ne jemi të bashkuar siç ishim dhe do të jemi: edhe Lista Serbe ashtu edhe Universiteti ynë dhe shteti i Serbisë. Populli ynë ka të ardhme vetëm përmes këtij uniteti, siç e ka thënë edhe presidenti Vuçiq”, tha Petkoviq.

Ndërtesa do të ketë 10.575 metra katrorë, me kapacitet për pranimin e deri në 10.000 studentëve ndërsa në kuadër të këtij Universiteti do të funksionojnë: Fakulteti i Shkencave të Natyrës dhe Matematikës, Fakulteti i Drejtësisë dhe Fakulteti Ekonomik.

LDK reagon për universitetin në Mitrovicë: Qeveria Kurti po e ri-instalon Serbinë në Kosovë

Lidhja Demokratike e Kosovës, ka reaguar për vendosjen e gurë-themelit të “Universitetit të Prishtinës me seli të përkohshme në Mitrovicën e Veriut”, me ç’rast ka thënë se Qeveria Kurti po e ri-instalon Serbinë në Kosovë.

Nga LDK-ja një vendim të tillë e kanë quajtur skandaloz dhe antikushtetues.

“Kryeministri Kurti duhet t’i zëvendësojë deklaratat boshe në Bruksel, me veprime konkrete në territorin e shtetit të tij. Ai duhet menjëherë, e pa vonesë, ta shkarkojë ministrin nga radhët e minoriteteve dhe me çdo kusht të parandalojë ngritjen e universitetit paralel në veri”, thuhet tutje në reagimin e LDK-së.

“Me aprovimin e vizitës nga Ministria e Punëve të Jashtme, Drejtori i së ashtuquajturës Zyra për Kosovën e Qeverisë së Aleksandër Vuçiqit së bashku me Ministrin e Qeverisë së Albin Kurtit, vunë në Mitrovicën e Veriut gurë-themelin e “Universitetit të Prishtinës me seli të përkohshme në Mitrovicën e Veriut”. Me këtë veprim ata de-legjitimojnë dhe degradojnë shtetin e Kosovës, duke e nëpërkëmbur njëkohësisht edhe identitetin e Universitetit të Prishtinës”, thuhet në reagimin e kësaj partie.

PDK: Ndërtimi i Universitetit në veri të Mitrovicës po bëhet në pajtim me Kurtin

Ndërkohë, lidhur me ndërtimin e universitetit në veri të Mitorvicës, ka reaguar  të dielën edhe deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu-Shoshi, e cila ka thënë se ndërtimi i Universitetit paralel serb në veri të Mitrovicës po bëhet në pajtim me kryeministrin Albin Kurti.

Ajo përmes një postimi në rrjetin social “Facebook” ka thënë se kryeministri përgjigjet që funksionimi i këtij universiteti nuk është legjitim, por sipas saj, ndërtimin e këtij universiteti Kurti e vlerëson në të mirën e integrimit të qytetarëve të pjesës veriore.

“Ai ishte në dijeni për ndërtimin e këtij Universiteti serb qysh në fillim të muajit korrik dhe këtë e ka konfirmuar në përgjigjen që ka dhënë në Kuvendin e Kosovës saktësisht me 7 korrik kur unë e pyeta për ndërtimin e këtij universiteti”, ka shkruar ajo.

Edhe Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se Kurti po tregohet i pazot që të përballet me Serbinë, teksa ka kritikuar vënien e gurë-themelit të universitetit paralel në veri.

“Në të kaluarën e dini si kemi vepruar në raste të ngjashme, kur zyrtarët serbë kanë tejkaluar kompetencat gjatë qëndrimit në Kosovë. Kjo është ajo pse e kam pyet Kurtin mos je peng, mos të mbajnë me diçka”, është shprehur i pari i AAK-së.

Ndërkohë nga Qeveria e Kosovës ende nuk ka pasur reagim zyrtar për këtë çështje.

Mitrovica e Veriut është komunë e banuar me shumicë serbe në veri të Kosovës, dhe aty autoritetet serbe kanë zhvendosur, siç e quajnë ata, “Universitetin e Prishtinës”, pas përfundimit të luftës në vitin 1999.

Studimet aty zhvillohen sipas plan-programit të Serbisë.

Reklama