Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka vendosur të gjobisë Lëvizjen Vetëvendosje edhe me 6 mijë euro pasi u zbulua se në një tubim të kësaj partie në Suharekë mori pjesë Neime Binaku Isufi, kryetare e Autoritetit të Konkurrencës.
Binaku-Isufi publikoi edhe një video në rrjetet sociale nga ky tubim, gjë që shkaktoi ankesën nga Partia Demokratike e Kosovës.
PDK-ja, e cila paraqiti ankesën në PZAP, argumentoi se LVV ka përfituar nga pjesëmarrja e një nëpunëse publike në tubimin e saj, duke shkelur kështu ligjet zgjedhore.
PZAP pranoi ankesën, duke theksuar se si provë materiale u paraqit një fotografi që vërtetonte videon e publikuar nga Binaku-Isufi.
Në vendimin e saj, PZAP vuri në dukje se kryetarja e Autoritetit të Konkurrencës ka shkelur Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, duke u përfshirë në fushatë zgjedhore përkundër pozitës që zotëron.
Kjo shkelje ka çuar në gjobën e LVV-së, e cila tani ka afat 15 ditë për të paguar shumën e caktuar.