Close Menu
    sq Albanian
    sq Albanianhr Croatianen Englishfr Frenchde Germansr Serbiantr Turkish
    Facebook Instagram YouTube
    GazetaDemosGazetaDemos
    • Lajme
    • Ndërkombëtare
    • Sport
    • Magazina
    • OP/ED
    • Stili/Jeta
    • Video
    sq Albanian
    sq Albanianhr Croatianen Englishfr Frenchde Germansr Serbiantr Turkish
    GazetaDemosGazetaDemos
    Ndërkombëtare

    Vuçiq themelon “lëvizjen për popullin dhe shtetin”

    24/01/2025 22:55
    Share
    Facebook Twitter WhatsApp

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, gjatë një tubimi në Jagodinë njoftoi për themelimin e “lëvizjes për popullin dhe shtetin”, që tha se do të mbledhë rreth vetes partitë në pushtet dhe mbështetësit e tyre.Në tubimin në Jagodinë morën pjesë mijëra mbështetës të Partisë Progresive Serbe (SNS) dhe partnerëve të saj të koalicionit.

    “Të gjithë jeni të mirëpritur në lëvizje, në lëvizjen për ndryshimet e mëdha”, tha presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.

    Sipas tij, arsyeja e formimit të kësaj lëvizjeje është se ka gjëra me të cilat ai nuk është i kënaqur.

    Tubimi i mbështetësve të Qeverisë serbe në Jagodinë u mbajtë në kohën kur po vazhdojnë protestat masive në mbarë Serbinë, që janë thirrur nga studentët të cilët po bllokojnë universitetet. Studentët po kërkojnë që autoritetet të mbahen përgjegjëse për vdekjen e 15 personave në një aksident në stacionin hekurudhor të Novi Sadit.

    Po të njëjtën ditë është mbajtur edhe një “grevë e përgjithshme”, ku janë bashkuar një numër i biznesmenëve, mësuesve, punëtorëve të arsimit dhe avokatëve që ndërprenë punën në shenjë proteste.

    Akuza ndaj opozitës

    Vuçiq e nisi adresimin e tij duke thënë se Serbia “u sulmua sot”, pa ofruar dëshmi se kush po e sulmonte shtetin.

    “Njerëzit tanë e dinë, Serbia e di, se si po sulmohet sot, se si po sulmohet nga jashtë dhe nga brenda. Njerëzit tanë e dinë se kur është koha të ngrihen në këmbë dhe të mbështesin ata për të cilët mund të thënë shumë gjëra të pakëndshme, por të paktën e dinë se ata e kanë mbrojtur Serbinë dhe kanë luftuar për Serbinë”, tha ai.

    Ai akuzoi partitë që ishin në pushtet pas ndryshimeve politike të 5 tetorit të vitit 2000, e që tani janë në opozitë, se po “plaçkitin Serbinë”.

    “Sot po na mbajnë predikime, duan të kthehen në pushtet dhe po i përdorin fëmijët për t’u kthyer në pushtet”, tha Vuçiq.

    Gjatë fjalimit në Jagodinë, Vuçiq tha se “fëmijët e kanë vendin në shkolla” e jo në protesta, duke iu referuar bllokimit të shkollave në mbarë Serbinë dhe pjesëmarrjen e nxënësve të shkollave të mesme në protestat më 24 janar.

    “Sa u përket stundetëve, pavarësisht sharjeve dhe fjalëve të ashpra, u bëj thirrje që të angazhohen në dialog dhe të tregojnë se cilat kërkesa nuk janë plotësuar. Le të na thonë publikisht kërkesat që nuk janë plotësuar. Kërkesa të tilla nuk ekzistojnë”, tha ai.

    Ai përsëriti qëndrimin se Qeveria ka plotësuar katër kërkesat e studentëve. Vuçiq po ashtu pretendoi se nuk ka pasur raportime në polici për protesta dhe bllokim të rrugëve në mbarë Serbinë.

    “Policia nuk mund t’iu mbrojë kur nuk e di që ka tubime, tubime të paligjshme. Edhe sot, ata nuk kanë raportuar për asnjë tubim askund”, tha ai.

    Vuçiq tha po ashtu se pas incidentit gjatë protestës në Novi Beograd, ku një studente u lëndua pasi u godit nga një makinë që u përplas me demonstruesit, “policia me rroba civile shpëtoi situatën”.

    Gjatë adresimit, ai tha po ashtu se nuk do të vendosë sanskione ndaj Rusisë “e as ndaj ndonjë miku tjetër”.

    Ai po ashtu tha se do të ketë “raporte miqësore dhe vëllazërore” me Rusinë dhe Kinën dhe do të bisedojë me presidentin rus, Vladimir Putin, në ditët në vijim për të gjetur një zgjidhje lidhur me sanksionet amerikane ndaj Industrisë së Naftës të Serbisë.

    “Fuqia e Serbisë është në pavarësinë e saj. Në mbrojtjen e rrënjëve tona, por edhe të ardhmes tonë”, tha ai.

    Daçiq mbështet lëvizjen e re

    Tubimi në Jagodinë nisi me këndimin e himnit serb nga mijëra të pranishëm. Në të u bë njoftimi për themelimin e lëvizjes së re.

    Përveç presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të pranishëm në tubim ishin edhe ministra qeveritarë nga SNS-ja dhe partnerët e koalicionit.

    Në tubim përkrah Vuçiqit ishte edhe Ivica Daçiq, ministër për Punë të Brendshme dhe udhëheqës i Partisë Socialiste të Serbisë.

    “Nuk duhet të lejojmë që armiku të krijojë përçarje mes nesh, qytetarëve të Serbisë. Ne nuk duam luftë civile, ne duam paqe dhe zhvillim”, tha Daçiq.

    Siç u tha në fillim të tubimit, “lëvizja për popullin dhe shtetin” do të bëjë bashkë njerëzit që kanë “mendime të ndryshme politike, qëndrime të ndryshme, përvoja të ndryshme, që janë në parti të ndryshme politike, por edhe ata që kurrë nuk kanë qenë pjesë e ndonjë partie dhe nuk kanë pasur interesim për politikën”.

    “Por, njerëz që kanë një qëllim të përbashkët. Ky qëllim është një Serbi e qëndrueshme, e fortë dhe fituese. Një shtet me institucione të forta. Një shtet që u garanton të gjithë qytetarëve të drejta të njëjta, një shoqëri që nuk përçan njerëzit”, u tha në fillim të tubimit.

    Sipas gazetarëve të Radios Evropa e Lirë që janë në terren në Jagodinë, qindra autobusë me tabela nga qytete të tjera u panë duke iu afruar qytetit, duke transportuar mbështetësit e Aleksandar Vuçiqit.

    Sipas gazetarëve të REL-it, flamuj të Serbisë dhe ushqime u janë dhënë mbështetësve të mbledhur të partive në pushtet.

    Teksa mijëra mbështetës të Qeverisë serbe u mblodhën në Jagodinë, disa prej tyre ishin edhe në një tubim partiak afër Novi Sadit.

    Kryeministri serb, njëherësh kryetari i SNS-së, Millosh Vuçeviq, tha në tubimin partiak se nuk do të ketë “ndryshim të pushtetit me dhunë e as qeveri tranzitore”.

    “Ka pasur kohë të vështira dhe gjithçka ka kaluara, edhe kjo do të kalojë dhe nuk do të ketë revolucion”, tha Vuçeviq.

    “Ne kurrë nuk iu kemi ikur zgjedhjeve. Mos u zhgënjeni sërish, sepse kur shikoni fotografi nga tubimet, është një gjë, e është tjerët gjë kur njerëzit shkojnë të votojnë”, shtoi ai./

    Artikuj të ngjashëm

    “Bota Serbe”, nuk është shushuritja e fundit e Serbisë neofashiste

    Kurti e akuzoi si spiun, Ristiqi krijon parti në Kosovë

    Kërcënon Vuçiq: Gjërat po ndryshojnë nëpër botë, Serbia do të fitojë ndaj Kosovës

    Të Fundit

    Osmani: Çdo kapitull i Republikës së Kosovës mbart vulën e SHBA-së

    Projekt politik për të kënaqur Serbinë” – Bosch përkrah kritikat e profesorit britanik ndaj Gjykatës Speciale 

    Lamtumirë Juventus, Real Madrid siguron kalimin në çerekfinale të Kupës së Botës për Klube

    Lindau, Bodensee në Gjermani përfshihet nga erëra të fuqishme dhe breshër i madh — shkaktohen dëme materiale

    Lirohet për qarkullim rruga drejt Jarinjës 

    Gazeta Demos është medium i pavarur informativ, që ka për qëllim informimin e shpejtë dhe të paanshëm, portal që synon të plasojë të dhëna objektive për audiencën e gjerë, duke pasur për kryefjalë lajmin si kategori kryesore. Gazeta Demos ka për mision që të përçojë te lexuesi informatat më të reja të zhvillimeve të fundit brenda dhe jashtë vendit, me etikë profesionale dhe me qasje pasionale. Gazeta Demos funksionon edhe si medium intermedial, e cila në tregun medial po hyn, jo përmes politikave redaksionale ditore, por atyre konstante nacionale, duke e kultivuar edhe shijen e lexuesit. Gazeta Demos ngadalë por sigurt, po bëhet burim i besueshëm i informacionit, i hapur ndaj opinionit publik, duke i trajtuar të gjithë të barabartë. Gazeta Demos është shenjë identifikuese e fjalës së lirë, gjithnjë në frymën e demokracisë prej nga buron edhe emri i saj.

    KONTAKT & MARKETING

    Rruga "Uran Ajeti", 68 Prishtinë
    info@gazetademos.com
    marketing@gazetademos.com
    Tel: +383 48 579 555

    • Lajme
    • Ndërkombëtare
    • Sport
    • Magazina
    • Stili/Jeta
    • OP/ED
    • Teknologji
    • Video
    Facebook Instagram YouTube
    Te gjitha te drejtat e rezervuara © GazetaDemos - 2025

    Type above and press Enter to search. Press Esc to cancel.