Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar mbrëmë në televizionin publik serb RTS, se “Lëvizja për Popullin dhe Shtetin”, formimin e të cilës e ka paralajmëruar, është e rëndësishme për të ruajtur vendin dhe për të mos u dorëzuar në lidhje me Kosovën, e mbi të gjitha në lidhje me çështjen e anëtarësimit të Kosovës në Kombet e Bashkuara”.
Vuçiq ka pretenduar se Lëvizja duhet të jetë ajo që në rrethanat komplekse gjeopolitike do të kuptojë se “mbrojtja e interesave shtetërore dhe kombëtare është me rëndësi jetike për vendin”.
“Të gjithë ata që dëshirojnë do të mund t’i bashkohen Lëvizjes. Mua më intereson vetëm Serbia – të presim 1 dhjetorin 2026, të përgatitur për EXPO, ta mbrojmë vendin, të mos dorëzohet në çështjen e Kosovës, dhe mbi të gjitha në anëtarësimin e saj në Kombet e Bashkuara, sepse, të mos gënjejmë – kjo është çështja kryesore”, ka pretenduar Vuçiq.
Ai gjithashtu ka thënë se dje ka pasur një bisedë të rëndësishme me Charles Michel.
“Të shohim se çfarë na ofron (BE)… nëse mund të marrim ‘vijat e gjelbra’, të cilat janë thelbësore për prosperitetin e kompanive tona dhe për përparimin drejt BE-së”, ka shtuar Vuçiqi.
Prandaj, sipas fjalëve të tij, “Lëvizja është e rëndësishme, sepse do të ketë një shumicë të qartë, shumicën e dy të tretave, por që do të kuptojë interesat praktike, pragmatike të Serbisë.
“Të luftojmë çdo ditë për vendin, të marrim maksimumin dhe të humbasim më së paku që mundemi dhe ta shtyjmë vendin përpara”, ka thënë presidenti serb.