Pse regjimi aktual në Beograd, “udhëheqësit e të cilit ishin protagonistë aktivë” të luftërave të viteve nëntëdhjetë, kur flet për luftën e filluar në vitin 1991, e fillon në vitin 1995, d.m.th. nga viti i fundit të saj.
“Nuk do të ketë persekutime të reja, as dëbime të reja të serbëve; nuk do të ketë kurrë më traktorë tjerë, këtë ju garantoj. Çdo fillim gushti për serbët është ditë pikëllimi, kujtimi për shtëpitë e humbura, fëmijët e humbur që nuk mund të kthehen”, tha presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq dje në tubimin e mbajtur me rastin e përkujtimit të Ditës së Përkujtimit për të vdekurit dhe dëbuarit në operacionin ushtarako-policor kroat “Oluja” (Stuhia) që ndodhi më 4 gusht 1995.
Tubimi qendror komemorativ, i organizuar për atë rast, është mbajtur këtë vit në stadiumin “Lagator” në Loznicë. Përveç Presidentit të Serbisë, në shënimin përkujtimor morën pjesë edhe kryeministri Millosh Vuçeviq, ministra në Qeverinë e Serbisë, presidenti i entitetit boshnjak Republika Srpska Milorad Dodik, si dhe Patriarku i Kishës Ortodokse Serbe, Porfirije, i cili me ndihmën e kryepeshkopëve dhe klerikëve, shërbeu meshë përkujtimi në stadiumin e Loznicës.
MESAZHET PËR FQINJËT
Presidenti i Serbisë kishte mesazhe të qarta edhe për fqinjët. Kështu, duke folur për aksionin ushtarako-policor “Oluja”, të kryer 29 vjet më parë, ai i tha Kroacisë se nuk janë edhe “aq trima”, se “nuk e bëtë vetë atë krim, ju ndihmuan këta të mëdhenjtë dhe më të fuqishmit”.
Në fjalimin e tij komemorativ, presidenti serb ka komentuar edhe lajmin se Kroacia së fundmi ka blerë raketahedhëse me shumë tytë “Himars”.
“Serbia do të ketë armë më të forta në më pak se tre vjet, por ato nuk do t’i drejtohen askujt”, tha presidenti Vuçiq.
Presidenti i Serbisë i tha Qeverisë së Republikës së Kosovës se “errësira është më e dendur para agimit”.
“Ne do të duhet ta ruajmë vendin tonë. Kur të jemi ekonomikisht më të fortë, do të jemi edhe ushtarakisht, do të pengojmë këdo që do të sulmojë vendin tonë dhe do të ushtrojë agresion kundër popullit tonë”, kërcënoi presidenti Vuçiç, i cili në fjalën e tij iu referua edhe miratimit së fundmi të Rezolutës për gjenocidin në Srebrenicë në Kombet e Bashkuara.
“Ata donin të na vinin etiketën dhe vulën e një kombi gjenocidal. Ne thamë – mjaft me presionin mbi popullin më të vuajtur në Ballkan. Ne e ngritëm zërin në emër të vendeve liridashëse në botë dhe treguam si një vend i vogël mund t’i mposhtë ata”.
Qytetarëve të shumtë të pranishëm në stadiumin “Lagator” në Loznicë iu drejtua edhe kryetari i entitetit të RS, Milorad Dodik, i cili tha se serbët janë një popull krenar që duan të jetojnë me të tjerët.
“Historia jonë është histori konfliktesh, por duhet të ecim përpara… Kur i sulmojnë serbët, atëherë na ecë më mbarë”, tha Dodik dhe shtoi se jemi dëshmitarë të “sulmeve masive ndaj Serbisë, veçanërisht ndaj Vuçiqit”, i cili sipas gjykimit të Dodikut është – simbol i përparimit.