Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka takuar sot senatorët amerikanë Chris Murphy dhe Gary Peters, ku gjatë bisedës ka theksuar se prioritet për Serbinë është formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, siç parashihet në Marrëveshjen e Brukselit.
Vuçiq ka deklaruar në llogarinë e tij në Instagram “buducnostsrbijeav” se ka pasur një bisedë të hapur me senatorët amerikanë dhe se i ka falënderuar për angazhimin e tyre në mbështetjen e dialogut me Prishtinën.
“E theksova se prioritet është formimi i Asociacionit, si dhe se do të vazhdojmë të insistojmë në zbatimin ekskluziv të vendimit për Asociacionin ashtu siç është paraparë në Marrëveshjen e Brukselit”, ka theksuar Vuçiq.
Ai shton se kanë biseduar edhe për shumë çështje të tjera me interes për të dy vendet, si dhe ka ripërsëritur vendosmërinë e Serbisë për të vazhduar zhvillimin e marrëdhënieve me SHBA-në në bazë të respektit dhe mirëkuptimit të ndërsjellë.