Vuçiq: Nuk ka shumë sens të dialogoj me Kurtin, flet vetëm për të kaluarën

Presidenti i Serbisë, Aleksander Vucic, ka folur sot për procesin e dialogut me Republikën e Kosovës, duke thënë se shteti që drejton është gjithmonë i gatshëm për negociata.

Ai ka thënë se Serbia duhet të marrë pjesë në procesin e dialogut meqë është në dobi të serbëve dhe se “ndikon në uljen e tensioneve ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve”.

Megjithatë kreu i shtetit serb thotë se nuk sheh shumë arsye për të dialoguar me kryeministrin aktual të Republikës së Kosovës, Albin Kurtin, meqë sipas tij Kurti flet vetëm për të kaluarën.

“Serbia gjithmonë do të marrë pjesë në dialog, kurdo që thirret, por nuk shoh shumë sens për të dialoguar me Kurtin, sepse ai flet vetëm për të shkuarën, dhe jo për të ardhmen”, ka thënë Vuçiq.

Kryeministri i Kosovës ka pasur dy takime në Bruksel me Vuçiqin, derisa nuk është bërë ndonjë progres në proces.

Kurti në dy takimet ka paraqitur dy propozime, të cilat janë refuzuar nga pala serbe. Ende nuk dihet se kur do të rinisin takimet e nivelit të lartë Kosovë-Serbi.

Reklama