Lajme

Vuçiq flet për takimin Gjuriq-Rubio: Ishte krejt rastësisht, nuk flasim me askënd për Kosovën

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënp se ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriq është takuar “krejt rastësisht” me sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio, duke mohuar pretendimet se ai ishte ftuar në SHBA për t’u informuar mbi një marrëveshje sekrete për njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Reagimi i Vuçiqit erdhi pasi ish-ambasadori i Serbisë në Washington, Nebojsha Vujoviq, deklaroi për agjencinë “Beta” se qëllimi kryesor i vizitës së Gjuriqit në Washington ishte informimi për një “marrëveshje sekrete dhe detyruese” që do të çonte drejt njohjes së Kosovës nga Serbia.

Sipas Vujoviqit, Gjuriq ishte ftuar që Rubio, në emër të Qeverisë amerikane dhe presidentit Donald Trump, ta njoftonte për këtë marrëveshje. Ai madje pretendoi se një zhvillim i tillë do të përbënte sukses për Trumpin dhe njëkohësisht do të ndikonte në raportet me Bashkimin Evropian dhe Rusinë, ndërsa do t’i jepte kohë Vuçiqit të forconte pushtetin e tij në Serbi.

Por, nga Kazakistani, Vuçiq i quajti këto pretendime “trillime”.

“Nuk më shkon ndërmend, jo me Marco Rubion, por as me Shën Pjetrin, të flas për Kosovën. Kosova është Serbi dhe do të jetë. Ky është fundi i historisë”, është shprehur ai, sipas raportimit të “Kossev”.

Vuçiq theksoi se takimi mes Gjuriqit dhe Rubios ka qenë i paplanifikuar dhe i rastësishëm.

Edhe Gjuriq i hodhi poshtë deklaratat e Vujoviqit, duke i cilësuar ato si “trillime të plota”.

“Është e pabesueshme që dikush që ka përfaqësuar vendin tonë këtu të thotë diçka të tillë. Kur ai ishte i ngarkuar me punë në Ambasadën në Uashington, vendi ynë u bombardua dhe marrëdhëniet ishin në nivelin më të ulët të mundshëm”, tha Gjuriq.

Një ditë më parë, Gjuriq kishte njoftuar në rrjetin social “X” për takimin me sekretarin Rubio, duke theksuar se Serbia dhe SHBA-ja po punojnë për ta bërë vitin 2026 një vit të rëndësishëm në marrëdhëniet dypalëshe.

Back to top button