Polici i akuzuar për “vrasje në tentativë” dhe “manipulim me prova”, Korab Pepaj ka deklaruar se ka të drejtë të përdorë armën kur i rrezikohet jeta.
Këtë deklarim Pepaj e ka dhënë në rastin cilësinë e zyrtarit policor të Njësisë Speciale që akuzohet për “vrasje në tentativë” të M.J. në prill 2023 te “Ura e Bistricës” dhe “manipulim me prova”, ndërsa Faton Maloku, Samet Uka dhe Muhamet Muqiqi po ashtu zyrtarë policorë të Njësisë Speciale, secili veç e veç akuzohen për “moslajmërim të veprave penale apo kryerësve të tyre”. Në seancën e së enjtes në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, të akuzuarit Maloku, Uka dhe Muqiqi u mbrojtën në heshtje.
I pyetur se a ekziston ndonjë rregullore e Policisë kur zyrtarët policorë mund të shtënë me armë, Pepaj tha se ka të drejtë të përdoret arma sa herë i rrezikohet jeta.
“Sa herë rrezikohet jeta e çdo qytetari, kolegu, pastaj e fundit është e imja, unë kam të drejtë me përdorë armën në pozitë zyrtare”, ka deklaruar ai.
Fillimisht, në seancën e sotme gjyqësore u dëgjua eksperti i mjekësisë ligjore, Naim Uka.
I pyetur nga mbrojtësi i të dëmtuarit M.J., avokati Milosh Deleviq, eksperti tha se në rastin konkret nuk ka pasur dëmtime të arterieve apo venave të gjakut, dhe se gjakderdhja e shkaktuar nuk ka pasur kurrfarë mundësie që të jetë fatale për organizmin e të dëmtuarit.
Ndërsa, kryetari i trupit gjykues, Mentor Hajraj e ka pyetur ekspertin nëse i dëmtuari plagën nga arma e zjarrit e ka pësuar në distancë më afër se 2m apo më larg se 2m, eksperti tha se duke i marrë parasysh karakteristikat e plagës të përshkruara në formë të mikro-grimcave të intensitetit metalik, distanca e qitjes në rastin konkret është më e vogël se 2 metra.
I pyetur se në aspektin mjekoligjor, a përjashtohet mundësia që plaga e të dëmtuarit të jetë shkaktuar nga te shtënat e të pandehurit Pepaj duke marrë parasysh distancën e qitjes, eksperti pasi shikoi video-incizimin e vendit të ngjarjes, tha se mikrogrimcat e intensitetit metalik nuk përputhen me këtë distancën mbi 10 metra që shihet në video-incizim.
Më pas, kryetari i trupit gjykues Mentor Hajraj kërkoi nga eksperti Naim Uka që t’i bëjë një ekzaminim fizik plagës së të dëmtuarit në sallën e gjykimit. Ndërsa i dëmtuari M.J pranoi që t’i bëhet një ekzaminim i tillë.
Eksperti Uka deklaroi se pas ekzaminimit të bërë është më se i sigurt që përshkrimi në raporte mjekësore lidhur me karakteristikat e plagës është i mangët.
Ai tha se ekzaminimi i drejtpërdrejtë fizik i plagës ka dallim nga përshkrimi në raporte mjekësore pasi lokalizimi i plagës është ndryshe, nuk është përshkruar se plaga është edhe në pjesën e pasme të supit të djathtë, dhe se qitja ka qenë nga pas-para, por edhe pas ekzaminimit fizik natyra e lëndimit mbetet e njëjtë – lëndim i lehtë trupor.
I akuzuari Pepaj tha se në polici punon prej vitit 2010, dhe që 9 vite e deri më sot vazhdon të shërbejë në Njësinë Speciale – ROSU.
Ai tha se në veri të vendit kanë filluar të shërbejnë që nga viti 2019, ndërsa prej vitit 2021 janë vazhdimisht atje.
Pepaj tha se varësisht prej detyrave që marrin dhe rrethanave që krijohen ne terren punojnë nga 8 deri në 48 orë, e edhe më gjatë.
I pyetur se kur e kishte filluar punën në natën kritike. i akuzuari tha se ka qenë nata e dytë e punës, diku rreth 36 orë punë pandërprerë, pasi vazhdimisht kanë bërë kontrolle të automjeteve dhe personave për bartje të personave, armëve dhe narkotikëve.
Pepaj tha se në natën kritike tani i dëmtuari fillimisht e kishte ndalur automjetin te STOP-i, derisa kishte kaluar një automjet i cili kishte qenë para tij, dhe pastaj kishte hyrë në rrugën e ngushtuar, ku në atë moment Pepaj thotë se i kishte blinduar shumë qartë rreth 3-4 herë me bateri – dritë që të ndalej jashtë rrugës, por i dëmtuari e kishte rritë shpejtësinë në drejtim të tij, dhe e kishte kaluar atë.
Ai tha se të shtënat në drejtim të të dëmtuarit kanë qenë të kontrolluara dhe për qëllim ka qenë ndalja e automjetit, pasi në pikë-kontrolle te tjera nuk kanë pasur masa mbrojtëse, dhe se të tjerët kanë mundur të rrezikohen.
Pepaj tha se e shtëna e parë ka qenë për ta qëlluar gomën e djathtë mbrapa veturës dhe për ta pamundësuar lëvizjen e automjetit, ndërsa e dyta ka qenë pasi është shikuar se automjeti nuk është goditur, dhe nuk ka pasur ndonjë reagim.
I pyetur se a kanë qenë në dijeni se janë nën mbikëqyrje të kamerave, i pandehuri Pepaj tha se kanë qenë në dijeni sepse në atë pikë-kontroll dhe në vendin ku ka ndodhur rasti janë të vendosura mbi 10 kamera.
“A jeni të obliguar që kur ndodhin këto raste menjëherë ta lajmëroni eprorin tuaj”, e pyeti prokurorja Fetije Bajrami.
Lidhur me këtë i pandehuri Pepaj refuzoi të përgjigjet, me arsyetimin se ndërlidhet me informacion konfidencial.
Tutje, ai tha se në natën kritike ka qenë i rrezikuar nga veprimet e të dëmtuarit, kur i dëmtuari e ka rritë shpejtësinë e veturës dhe është nisur në drejtim të tij në një distancë rreth 10 metra.
Pepaj tha se gëzhojat nga vendi i ngjarjes i ka marrë me vete në shtëpi, dhe pasaj të njejtat pa u dëmtuar i ka dorëzuar te zyrtarët policorë. Ndërsa rastin kishin planifikuar që ta lajmërojnë pas një pushimi 2-3 orësh përmes e-maili.
Seanca e radhës në këtë çështje penale mbahet në muajin dhjetor.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Mitrovicë më 3 korrik 2023, ka ngritur aktakuzë kundër Korab Pepajt, Faton Malokut, Samet Ukës dhe Muhamet Muqiqit.
Dispozitivi i parë i aktakuzës e ngarkon Korab Pepajn se në cilësinë e zyrtarit policor, më 10 prill 2023, në rrugën magjistrale Leposaviq-Mitrovicë në pikën e kontrollit të automjeteve në fshatin Lozishtë, saktësisht te “Ura e Bistricës”, ka tentuar ta privojë nga jeta personin tjetër, të dëmtuarin M.J, ashtu që i pandehuri derisa ka qenë në detyrë zyrtare në pikë kontrollin e automjeteve në vendin e lartcekur, i ka dhënë shenjë me bateri që të ndalet të dëmtuarit M., e i cili ishte duke drejtuar automjetin e tij nga drejtimi i Leposaviqit në drejtim të Mitrovicës, ai nuk është ndalur dhe ka vazhduar rrugën.
Atëherë, aktakuza thotë se i pandehuri Pepaj ka shtënë dy herë me armën zyrtare, ku e ka goditur automjetin nga prapa dhe me atë rast vozitësi i automjetit M. është goditur me një plumb në krahun e djathtë, ku i dëmtuari ka pësuar lëndime trupore, plagë përshkuese nga arma e zjarrit në regjionin mbi klavikulën e djathtë, plagë shqyese ndrydhëse në regjionin e djathtë të pasëm të kokës, e që bëjnë pjesë në dëmtime të lehta trupore, me pasoja të përkohshme për shëndetin.
Me këtë, Pepaj akuzohet se ka kryer veprën penale “vrasje në tentative” nga neni 172 lidhur me nenin 28 të KPRK-së.
Aktakuza thotë se në ditën, kohën dhe vendin si në pikën e parë të dispozitivit, i pandehuri Korab Pepaj ka hequr dhe fshehur provat dhe atë dy gëzhojat e predhës së armës pas gjuajtjes me armë zyrtare, me qëllim të pamundësimit të shfrytëzimit të sendit në procedurë zyrtare.
Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “manipulimi me prova” nga neni 389, par.1 të KPRK-së.
Kurse, dispozitivi i fundit i aktakuzës i ngarkon Faton Malokun, Samet Ukën dhe Muhamet Muqiqin se në cilësinë e zyrtarëve policorë të Njësisë Speciale, në kohën dhe vendin si më lartë, kanë qenë në detyrë zyrtare në pikën e kontrollit si më lartë, e të njëjtit kanë qenë në dijeni për identitetin e kryerësit të veprës penale “vrasje në tentativë”, dhe nuk e kanë lajmëruar veprën penale dhe kryerësin e veprës penale tek eprorët e tyre.
Me këtë, akuzohen se kanë kryer veprën penale “Moslajmërimi i veprave penale apo kryerësve të tyre” nga neni 378, par.1, pika 1.2 lidhur me nenin 28 të KPRK-së./Betimiperdrejtesi/