Në momentin që ndodhi atentati që i mori jetën biznesmenit Eduart Reçi poshtë pallatit të tij, janë dëgjuar shpërthime fishekzjarresh në distancë të afërt, të cilat sipas burimeve dyshohet se janë përdorur për të kamufluar të shtënat e armës.
52-vjeçari ka qenë në sheshin e pallatit me bashkëshorten duke pastruar ambientin poshtë, ka hyrë dhe dalë disa herë në pallat. Në një moment që ka dal jashtë dhe kur zhurma e fishekzjarreve kishte nisur, Eduart Reçi është rrëzuar dhe ka rënë në tokë.
Bashkëshortja fillimisht ka menduar se ndonjë cifël e fishekzjarreve i ka rënë në kokë, duke mos kuptuar se ishte plumb, ndërsa është konstatuar pasi ka mbërritur ambulanca.
Distanca nga është qëlluar dyshohet të jetë nga 20 deri ne 30 metra, por akoma e papërcaktuar se nga çfarë arme, dyshohet ndonjë prodhim i viteve të fundit dhe i panjohur.
Celulari i viktimës është dërguar për ekspertim me shpresën se mund të zbulohet ndonjë e dhënë në komunikimet që ka pasur së fundmi.
Kamerat e sigurisë po këqyren në distancë, edhe për ditët para ngjarjes për të parë lëvizje të dyshimta të personave që mund ta kenë ruajtur.
Në 2015-ën Reçi ka bërë një kallëzim për probleme pronash, i cili më vonë raportohet se është pushuar me vendim të prokurorisë.