Ish-ministri i mbrojtjes në Qeverinë e Bujar Bukoshit, Ahmet Krasniqi u vra më 21 shtator 1998 pak para mesnate në Tiranë.
Pavarësisht gjithë këtyre viteve që kaluan që nga ajo kohë, deri tash asnjë gjykatë as në Kosovë as në Shqipëri, nuk e ka dënuar askënd për vrasjen e tij.
Shumë kush u etiketua në lidhje me vrasjen e tij, mirëpo ish-përfaqësuesi politik i UÇK-së, Xhavit Haliti në emisionin “n’Demos” duke e cilësuar si gabim vrasjen e tij, ka garantuar për një figurë për të cilin thotë se nuk ka pasur as edhe një lidhje në këtë ngjarje.
“Në qoftë se ka qenë Fatos Klosi mrapa vrasjes së Ahmet Krasniqit, atëherë e kam vrarë unë. Këto janë gënjeshtra të njerëzve të lig, Fatos Klosi nuk ka qenë person, ai është akademik, si ka mundësi një akademik me u marr me të tilla raste, unë besoj që sikur të kishte informacion konkret Fatos Klosi për personat që e kanë kry vrasjen e Ahmet Krasniqit, sot do të ishin para gjyqit, ai më ka thirr me më pyet se ku jam, mos di ndonjë gjë unë, dhe më ka treguar se çfarë ka ndodh, për vrasjen e Ahmet Krasniqit nuk mundem me akuzu kërkënd, por kush do që e ka bërë, ka bërë gabim, edhe për këtë rast jam i hapur para secilit organ që të më pyesin”, ka deklaruar Haliti, shkruan GazetaDemos.