Toby Vogel, nga Këshilli për Politikat e Demokratizimit në Bruksel, duke komentuar bllokadën institucionale në Kosovë, tha se sfidat në vend nuk mund t’i atribuohen vetëm një personi apo partie, pasi atmosfera politike dhe presionet ndërkombëtare janë komplekse dhe shpesh kontradiktore.
Ai nuk ka përgjigje të qartë se si mund të dilet nga ngërçi parlamentar, por mendon se ndërhyrja nga jashtë – qoftë nga BE-ja apo SHBA-ja – nuk do të ishte e dobishme.
Sipas tij, zgjedhja më e mençur do të ishte që partitë të angazhoheshin vetë në zgjidhjen e situatës, duke kapërcyer ngërçin institucional, konstituuar Kuvendin dhe formuar një qeveri funksionale, që do të angazhohej pastaj në procese të rëndësishme që e presin vendin.
“Sigurisht që dialogu për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë është duke vuajtur gjithashtu, por, nga ana tjetër, ai ka qenë i vdekur për shumë vite, edhe për arsye që nuk kishin të bënin fare me Qeverinë e Kosovës”, thotë Vogel për Radion Evropa e Lirë.
Dalja nga kjo krizë, sipas tij, do t’i jepte Kosovës mundësi që t’i tregonte botës se është palë konstruktive dhe serioze, ndërsa Serbia është ajo që vazhdon t’i shkelë marrëveshjet e Brukselit dhe Ohrit për normalizimin e marrëdhënieve.
Për ndikimin e bllokadës institucionale në rrugën e integrimit europian të Kosovës, Vogel s’e lidhi fort me aktualitetin.
“Integrimi i Kosovës në BE ka ngecur plotësisht për shkak të pesë vendeve mosnjohëse dhe disa vendeve njohëse – mbi të gjitha Hungarisë – që janë armiqësore ndaj Kosovës, ose të tjerave – si Franca – që janë armiqësore ndaj zgjerimit”, thotë Vogel.