Komisioni Ekzekutiv për Shëndetësi nuk pritet që të vazhdojë edhe për shumë kohë punën, derisa vlen të përmendet se kryesues, është vetë kryeministri Albin Kurti.
Kjo është thënë nga ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, i cili “nuk beson” që do të vazhdojë edhe gjatë funksionimi i këtij komisioni.
“…që i bie, komisioni do të vazhdojë të funksionojë?”, u pyet në një intervistë ai nga gazetari i ATV-së.
“Nuk besoj (që do të vazhdojë të funksionojë), ka arritur objektivat e veta. Unë besoj që shumë shpejt do të bëhet një rikapitulim i punës, dhe do të nxirren disa rekomandime që do të jenë edhe udhërrëfyer për mua për punën në dikaster”, ka thënë ai.
Ndërkohë në këtë intervistë, Vitia fillimisht u pyet për marrëdhënien e tij me Kurtin, duke marrë parasysh se njëri është ministër i Shëndetësisë, e tjetri kryesues i Komisionit.
“Marrëdhënia ime me Kuritn është marrëdhënie e ministrit me kryeministrin, anëtarit të kryesisë me kreun e LVV-së, është një marrëdhënie e shkëlqyeshme. Ka qenë veprim i mirë (formimi i Komisionit), për disa arsye. Kemi thënë nga fillimi që shëndetësia do të jetë prioritet i kësaj qeveria. Ku ka më mirë se sa të përfshihet vetë kryeministri në angazhim në këtë sferë”, tha ai.