Arben Vitia në adresimin e fundit, si ministër i Shëndetësisë, në mes tjerash ka cekur se ka shënuar suksese për gjashtë muaj në këtë dikaster dhe se po e lë këtë resor me probleme të mëdha kronike. Sipas tij, pasardhësja e tij, Dafina Gaxha, do të sfidohet me stabilizimin e gjendjes së furnizimit me barna, zbatimin ose jo të Ligjit për Sigurime Shëndetësore, rritjen e cilësisë së shërbimeve, e probleme të tjera, që ministrat paraprakë, sipas tij, dështuan t’i adresonin në tërësi.
“Jam i lumtur që para jush, duke u bazuar mbi raportime të Institutit, them se vala e katërt nga varianti Delta për momentin është vënë nën kontroll. Duke ditur që varianti ka qenë ndër më të transmetueshmit, akoma nuk mund të flasim për relaksim. Vala Delta si më e rënda ka shkaktuar pasoja të rënda në botë. Kosova ditëve të fundit është bërë me numrin më të ulët të infektuarve në rajon. Sot jemi ndër pesë shtetet me më së paku raste të reja në Evropë”, është shprehur Vitia.
Detyrën e ministrit të Shëndetësisë e quajti detyrë me privilegj dhe përgjegjësi, duke e konsideruar si pasurinë më të madhe, që tha se ka përfituar nga besimi që iu dha si ministër. Por, ai refuzoi të përgjigjet nëse ka dështuar në ndonjë pikë për këta muaj, dhe nëse në dedikimin e tij i prezantoi si suksese projektet e nisura nga Qeveria e kaluar. Ai e ka përmendur në veçanti si sukses rritjen e buxhetit për barna e material shpenzues, si dhe iniciativat ligjore, raporton Koha.net