U shkrepën në kohë të ndryshme, por mund të kenë pasur të njëjtin qëllim.
Një fotografi e ish-presidentes, Atifete Jahjaga duke provuar armët, që u bë në 2015-ën, u përsërit të mërkurën, kur në këtë pozitë po qëndron Vjosa Osmani.
“Në momentet më të vështira të situatës së sigurisë e kanë marrë armën në dorë dhe ky është një mesazh i drejtpërdrejtë diplomatik që edhe gjinia femërore mund ta mbrojë vendin e tokën e vet fuqishëm”, thanë njohësit e sigurisë.
Por, kështu nuk mendon Kaqusha Jashari, që për dekada me radhë u mor me politikë.
“Mua s’më ka lënë ndonjë përshtypje, kanë qenë në vizitë, janë gjetë aty, fotografitë nuk kanë lidhje njëra me tjetrën, kishe është koha e vështirë e ato janë në gjendje armë me marrë, këto janë spekulime”, tha ajo.
Jashari, ndër të tjera tha se gratë kosovare kanë pasur çdo herë ndikim në politikë, ashtu si edhe në vendime.
Megjithkëtë, dy gratë e vetme që historia i njeh si presidente të Kosovës, duken edhe të vendosura, meqë i mbajtën këto pozita në kohëra fort të vështira sigurie, raporton KlanKosova.
Njohës të këtyre fushave thanë po ashtu se Kosova është shembull që duhet të ndjekë edhe rajoni meqë kjo tregon se vendi ka pasur çdo herë gra me zë të fortë.