Abelard Tahiri, si Kryetar i Komisionit Parlamentar për Reformën Zgjedhore, ka njoftuar se Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka konfirmuar se Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme është në pajtim me Kushtetutën.
Kështu, GJKRK-ja ka vendosur njëzëri se niveli i përcaktuar i kuotave gjinore në listat e kandidatëve të secilit subjekt politik garanton përfaqësim të drejtë duke respektuar parimet e barazisë gjinore.
“Si Kryetar i Komisionit Parlamentar për Reformën Zgjedhore, jam shumë i kënaqur që punën tonë e vulosi edhe Gjykata Kushtetuese krahas vlerësimeve të partnerëve tanë ndërkombëtarë pasi ky ligj kishte adresuar dhjetra rekomandime të organizatave vendore dhe ndërkombëtare, si në raport me përmirësimin e integritetit zgjedhor ashtu edhe në garantimin e të drejtës kushtetuese zgjedhore të shtetasve tanë brenda dhe jashtë vendit për të manifestuar vullnetin e tyre të lirë përmes zgjedhjeve të lira dhe demokratike.
Vlen të theksojmë se reforma zgjedhore e realizuar në këtë mandat qeverisës dhe nën udhëheqjen e opozitës parlamentare përbën ndër sukseset e pakta të kësaj legjislature e cila pas një kohe të gjatë mbi 12 vjeçare të zvarritjes së kësaj reforme kishte rezultuar e suksesshme, dhe sot, si e tillë, u konfirmua edhe tërësisht në pajtim me Kushtetutën”, tha Tahiri.