Sipas gazetës britanike The Times, një milici private e udhëhequr nga një aleat i Putinit është përgjegjës për t’i dhënë fund jetës së presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelenskyt dhe disa personave tjerë.
Më shumë se 400 mercenarë rusë po veprojnë në Kiev nën urdhrat e Kremlinit për të vrarë presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky dhe qeverinë e tij në mënyrë që t’i hapin rrugën Moskës për të marrë kontrollin, zbulon të hënën The Times.
Pjesë e listës prej 23 personave për t’u eliminuar janë edhe vëllezërit Klitschko, Wladimir dhe Vitaly, ish-kampionë të botës në boks.
Grupi Wagner, një milici private e udhëhequr nga një aleat i presidentit rus Vladimir Putin dhe që vepron si një degë e pavarur e shtetit, solli mercenarë nga Afrika pesë javë më parë në një mision për të prerë kokën e qeverisë Zelensky për një bonus të madh financiar.
Informacioni rreth këtij misioni arriti në qeverinë ukrainase të shtunën dhe, disa orë më vonë, Kievi shpalli një shtetrrethim të ashpër 36-orësh për të “fshirë” qytetin për diversantët rusë.
Autoritetet ukrainase paralajmëruan civilët, kur shpallnin shtetrrethimin, se ata do të shiheshin si agjentë të Kremlinit dhe rrezikonin të “likuidoheshin” nëse do të largoheshin nga strehimoret e tyre.
Një burim i afërt me aktivitetet e grupit, raporton The Times, konfirmoi se midis 2,000 dhe 4,000 mercenarë kishin mbërritur në Ukrainë në janar.
Disa prej tyre u dërguan në rajonet lindore të Donetsk dhe Luhansk, ndërsa 400 të tjerë hynë nga Bjellorusia dhe u drejtuan drejt kryeqytetit.