Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Agim Veliu ka folur rreth punës së kryeministrit Kurti për dy vjet në Qeveri, duke e quajtur atë kryemashtrues, shkruan GazetaDemos.
Veliu ka thënë se Kurti ka ardhur në pushtet përmes kauzave të rrejshme, e që sipas tij ai edhe ka shkaktuar gjakderdhje për të marrur fronin.
“Albin çove shumë pluhur e tym që besa shkaktove edhe gjakderdhje deri sa erdhe në pushtet nga një shpëtimtar i vetproklamuar shpejt u bëre shkatërrimtar për çka ishte dëshmuar për shumë vite, deri sa u ule ku i përgjake edhe rrugët, jo me gjakun tënd por atyre që të besuan verbërisht. Derisa bëje politikën e rrugës sulmoje institucione, policinë dhe këdo që të doli përpara. kur hyre në parlament kolegët deputetë deshe t’i verbosh me gaz lotsjellës, i bëre të gjitha për të ardhur në pushtet”, tha Veliu.
Veliu ka thënë ndër të tjera se Kurti ka kapur institucione, derisa ka luftuar që ato t’i ç’kapte.
“Erdhe në pushtet me moton ‘ç’kapja e shtetit’ për ta kapur vetë më fort. Kape borde e institucione e institucionesh publike me burra e gra, motra e vëllezër e baxhanakë, ministrash e deputetë, dajë e teze për të cilët në fushat thoshe se janë për dasma. Erdhe me premtime të mëdha për ta ç’kapur shtetin, shite shumë patriotizëm, nuk dua t’i përmend as të merrem me premtimet e kryemashtruesit Kurti, që me kauza të rreme kapi fronin. Për dy vjet në krye të qeverisë, e vetmja gjë që bëre shkaktimi i krizave dhe varfërimi i popullit”.