Motrat e Adnan Mulecit, pejanit që humbi jetën më 5 qershor të 2024-ës, nuk lanë gurë pa lëvizur, që sot ta kishin ende vëllain e vetëm të gjallë e të shëndoshë.
Pas operimit në spitalin e Pejës, Adnanit i ishte helmuar gjaku dhe ¾ -tën pjesë të trupit ia kishte kapluar sepsa.
Marigona, njëra ndër tri motrat e Nanit, ashtu siç ato e kishin quajtur gjatë tërë jetës, në një rrëfim ekskluziv për Kiksin, tregoi se ishin munduar ta bënin të pamundurën, që vëllain ta kthenin në shtëpi, aty ku e kishte vendin.
Pasditen e 5 qershorit, Marigona e kishte marr lajmin e fundit nga doktorët përgjegjës që po kujdeseshin për Adnanin në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Me lot e dënesë, ajo kujton hapat e saj kur po afrohej drejt sallës ku trupi i Adnanit po qëndronte.
Pas vdekjes së 31-vjeçarit, sikur të mos mjaftonte e gjithë ajo çka kishte ndodhur deri atëherë, familjarët morën rezultatin e biopsisë, të cilën e kishte urdhëruar ta bënte kirurgu përgjegjës në spitalin e Pejës, Bujar Vrella.
Ndonëse atë kohë, Vrella i sigurt se Adnani kishte tumor, rezultati i cili i erdhi familjes e thoshte krejtësisht të kundërtën. Ai nuk kishte pasur asnjë qelizë kancerogjene.
Me të marrë këtë rezultat, Marigona kishte telefonuar menjëherë kirurgun Bujar Vrella. Doktori, sipas saj, ishte munduar t’i manipulonte rezultatet.
Nuk i mjaftoi sqarimi i Vrellës dhe kështu, vajza e familjes Muleci, ishte nisur për në QKUK në mënyrë që të merrte opinione tjera mjekësore rreth rezultateve të pranuara.
Për familjen Muleci tashmë gjithçka ishte e qartë. Sipas tyre, Adnani kishte vdekur kryekëput për fajin e kirurgut Bujar Vrella.
Me mërzinë, boshllëkun e përjetshëm që e kishte lënë në shtëpi e në zemrat e tyre vdekja e Adnanit, Mulecët ishin të vendosur që të ndiqnin çdo rrugë ligjore për ta dënuar fajtorin për humbjen e djalit të vetëm të tyre. Ata shkuan në Prokurorinë Themelore të Pejës dhe denoncuan kirurgun Bujar Vrella.