Frank Caprio, gjykatësi i njohur dhe i dashur për publikun, ka vdekur në moshën 88-vjeçare, raporton “Daily Mail“.
Lajmi për vdekjen e tij u konfirmua të mërkurën nga i biri i tij, Frank T. Caprio.
Frank Caprio u bë i njohur në mbarë SHBA-të dhe më gjerë për qasjen e tij të ndjeshme dhe humane si gjyqtar, veçanërisht përmes emisionit televiziv Caught in Providence, i cili fitoi popullaritet të madh në rrjetet sociale dhe u nominua për një çmim Daytime Emmy në vitin 2021. Shumë klipe nga emisioni, ku ai falte gjoba pas dëgjimit të historive prekëse të qytetarëve, u bënë virale në mbarë botën.
Frank Caprio u tërhoq nga Gjykata Bashkiake e Providence në janar të vitit 2023, duke përmbyllur një karrierë gati 40-vjeçare si gjyqtar. Si shenjë mirënjohjeje për shërbimin e tij të gjatë dhe të jashtëzakonshëm, qyteti i Providence e riemëroi sallën e gjyqit bashkiak me emrin e tij në tetor 2023.
Pas festimit të ditëlindjes së tij të 87-të në dhjetor, Caprio bëri të ditur publikisht se ishte diagnostikuar me kancer në pankreas, një nga format më agresive të kësaj sëmundjeje. Ai përfundoi ciklin e fundit të trajtimit me rrezatim në maj të vitit 2024.