Një person me inicialet E.B vdiq sot në fshatin Sllovi të Lipjanit si pasojë e një aksidenti trafiku, transmeton Demos.
Kryetari i Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti i ka shprehur ngushëllime familjes Bytyqi.
Më tej ai ka bërë thirrje për kujdes të shtuar në komunikacion.
Njoftimi i plotë:
TELEGRAM NGUSHËLLIMI FAMILJES BYTYQI
Kryetari i Komunës së Lipjanit, z. Imri Ahmeti, në emër të institucioneve komunale, shpreh ngushëllimet më të sinqerta dhe solidaritetin më të thellë me familjen Bytyqi, me rastin e ndarjes tragjike nga jeta e të ndjerit Emin Bytyqi nga fshati Sllovi.
E nderuar familje Bytyqi,
Me dhimbje të madhe morëm lajmin për humbjen e parakohshme të më të dashurit tuaj, Emin Bytyqi, i cili fatkeqësisht humbi jetën pas një aksidenti tragjik në fshatin Sllovi. Kjo ngjarje e rëndë ka tronditur jo vetëm ju si familje, por edhe gjithë qytetin tonë.
Në këto çaste të dhimbshme, ndajmë me ju dhe me të gjithë të afërmit, miqtë dhe bashkëfshatarët tuaj, pikëllimin për humbjen e një qytetari të respektuar dhe të dashur për të gjithë ata që e njohën Eminin.
Zoti e mëshiroftë!
Në fund, shfrytëzojmë këtë rast për të bërë thirrje për kujdes të shtuar në komunikacion, me qëllim që të shmangen ngjarje të tilla tragjike dhe të ruhet jeta e secilit qytetar.
Imri Ahmeti
Kryetar i Komunës së Lipjanit