Kryeparlamentari Glauk Konjufca tha se ndjen përgjegjësi politike që s’është zbardhur ende rasti i vdekjes së aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari në qendrën e paraburgimit në Prizren më 5 nëntor 2016.
Konjufca e cilësoi këtë vdekje si “krim të madh” dhe “vrasje politike”, për zbardhjen e së cilës përgjegjësinë tha se e ka drejtësia.
“Ai është një krim i madh. Këtë përgjegjësi natyrisht që e ka drejtësia. Ne kemi bërë gjithça që është e mundur prej aspektit që e ka politika, atë pjesën e vetë, që ky rast me u zbardhë”, tha ai.
Konjufca tha se edhe humbja e provave në këtë rast “është pjesë e krimit”.
“Nuk u zbardhën… Për këtë e ndjej një përgjegjësi edhe vetë, por dukshëm më të madhe duhet ta ndjejnë përgjegjësinë ata që e kanë kompetencë. Se unë e ndjej në kuptimin politik përgjegjësinë, ama ai që e ka kompetencën me i shqyrtu provat…”, tha kryeparlamentari mbrëmë në Klan Kosova.
Tha tha se “nuk mundet ministrja me e zgjidhë këtë çështje”.
“Atë duhet ta thotë drejtësia, dhe pse nuk e ka thënë drejtësia deri tash, mua më duket sikur me qenë intervenim në drejtësi”, tha Konjufca.
Kryeparlamentari tha se është i pakënaqur me drejtësinë, ashtu siç tha se beson që janë edhe qytetarët
“Tash sistemi është i tillë. Mirëpo, pse populli po voton 50% kështu. Mendoj që veç për një arsye po voton. Se i ka nda politikanët në ata që po përpiqen dhe në ata që janë pasë dorëzu”, tha Konjufca.