Shkruan: Myrteza Osdautaj
Jam ndër të paktët njerëz që, në disa shkrime, i jam qasur problematikave fetare të të gjitha besimeve tona. U jam qasur këtyre problematikave jo për të kritikuar apo analizuar besimin personal të njerëzve dhe të masave por për ta analizuar dhe vlerësuar ndikimin negativ ose pozitiv politik të institucioneve fetare në ndërtimin apo shkatërrimin e identitetit kombëtar, shtetëror dhe historik të Shqipërisë dhe të Kosovës.
Duke pasur miq nga të gjitha besimet dhe duke e parë veprimtarinë e bashkësive fetare, siç e kam theksuar në shumë shkrime, e kam vërejtur se eksponentë të besimit islam suni(Hoxhallarët) dhe eksponentë të ortodoksisë (priftërinjtë), në shumë raste, kanë vepruar në kundërshtim të interesave kombëtare dhe, në shumë raste, kanë përdorur fenë dhe besimin si instrument dhe mjet politik për ta ‘asimiluar’komunitetin fetar të tyre apo për ta ndryshuar apo ndërruar identitetin kombëtar të shqiptarëve.
Gjithsesi duke e ruajtur dhe duke e konsideruar pjesë të jetës personale të njerëzve, kurrë nuk kam bërë ndonjë shkrim me të cilin e kam sulmuar apo denigruar, në cilëndo formë, besimin dhe mënyrën e besimit individual të njerëzve.
Prej ardhjes së ‘demokracisë’, kam pasur problemet e mia për ta kuptuar mënyrën se si ka funksionuar Kisha ‘autoqefale’ e Shqipërisë dhe s’kam arritur kurrë ta kuptoj turrin prapakthyestë bashkësisë islame. Në këtë rrëmujë të qëllimshmemendësore dhe në këto udhëkryqe ekzistenciale të kombit, më kanë shqetësuar gjithmonë prononcimet kozmopolite(jokombëtare) të eksponentëve të kishës ortodokse dhe veprimet jo kombëtare të Bashkësive suni të islamit. Duke e ditur se kishat ortodokse janë të ndara në kisha nacionale siç janë kisha greke, kisha ruse, kisha serbe, kisha rumune etj. etj. kam vërejtur se, në aspektin historik, të gjitha këto kisha kanë pasur një ndikim të patejkalueshëm në ndërtimin e identitetit kombëtar të popujve dhe ende luajnë një rol po kaq të rëndësishëm në ndërtimin e këtij identiteti dhe, shpesh (siç është rasti te kisha ruse e serbe), janë edhe faktorë politikë në ndërtimin e marrëdhënieve dhe qëndrimeve të këtyre shteteve ndaj popujve të tjerë. Në këtë aspekt, të gjithë e mbajmë mend ‘bekimin’ që merrnin kriminelët (lexo: ushtria, paramilitarët dhe policia) serbë nga kisha a tyre ortodokse kur vinin për të vrarë shqiptarë e për ta sulmuar e djegur Kosovën.
Derisa kisha serbe ishte dhe është burim dhe ushqyes i nacionalizmit dhe hegjemonizmit serb, kisha greke ishte, që nga rilindja kombëtare, zëdhënëse e madhe e politikës antishqiptare greke në lidhje me ‘Verioepirin’ dhe shqiptarët ortodoksë. Ngjarjet historike kanë treguar se kisha greke ka luajtur rol të madh në të gjitha inkursionet ushtarake, në të gjitha masakrat, atentatet dhe vrasjet që u janë bërë patriotëve ortodoksë shqiptarë dhe popullsisë shqiptare në të gjitha periudhat historike. Kjo kishë i ka udhëhequr dhe i ka bekuar andartët grekë të cilët kryen masakra të papara në popullsinë shqiptare të jugut. Kjo kishë, gjatë tërë historisë së saj, e ka mohuar ekzistencën e ortodoksëve shqiptarë, ka bërë luftë për asimilimin e tyre dhe ka nxitur vëllavrasjen në mes shqiptarëve të të dyja besimeve. Dhe kjo kishë, pas ardhjes së ‘demokracisë’ e gjeti një shteg të artë për ta kapluar edhe njëherë ortodoksinë shqiptare duke e shndërruar atë në një filial politik të ortodoksisë greke. Kisha jonë u ‘rimëkëmb’ vetëm sa për t’ia hapur rrugën depërtimit të kishës greke dhe u mëkëmb vetëm në masën sa kisha greke dhe shteti grek të arrijnë që ta realizojnë planin e tyre të madh historik dhe pretendimet e tyre të njohura territoriale. U formua një kishë, një marionetë, që proklamon një lloj kozmopolitizmi dhe inferioriteti të çuditshëm si dhe, në mënyrë perfide, zhvillon dhe e proklamon heshturazi ‘asmilimin’ e shqiptarëve në grekë me anë të ‘asimilimit’ të tyre në ortodoksë grekë. Mjafton të futesh në fejsbuk dhe të shohësh se si një pjesë e madhe e shqiptarëve ortodoksë në rubrikën e të dhënave të tyre personale, në vend se ta shkruajnë ‘Albanian orthodox’ e shkruajnë ‘Greek orthodox’ apo vetëm duhet ta shikoni se si përfaqësuesit e kësaj kishe kur pyeten në lidhje me kujdesin e saj ndaj grigjës së besimtarëve shqiptarë jashtë vendit përgjigjen se ata atje i kanë kishat ortodokse të vendeve përkatëse ndërsa që kisha jonë ortodokse ka autoritet vetëmpër ‘ortodoksët që jetojnë në Shqipëri’ pra jo për ortodoksët shqiptarë në Shqipëri dhe kudo që të jenë ata. Kjo kishë, derisa e lejon ushtrimin e të drejtës së grekëve të Shqipërisëpër ushtrimin e fesë së tyre, nuk ka gojë dhe këllqe, po as qëllim, të kërkojë nga kishat simotra që, po këtë të drejtë, ta ushtrojnë edhe shqiptarët jashtë Shqipërisë sidomos ata në Greqi ku jetojnë shqiptarët vendas dhe një numër i madh i emigrantëve nga Shqipëria.
Për ta pasqyruar me një shembull të thjeshtë qasjen e saj antikombëtare të kësaj kishe dua ta përmend një shembull të thjeshtë. Kisha ortodokse e Shqipërisë (nuk quhet kisha shqiptare siç quhen krejt kishat tjera nacionale), ka organizuardisa herë turne pelegrinazhi të besimtarëve shqiptarë nëpërmanastiret serbe në Kosovë. E kanë vizituar shumë herë Manastirin e Deçanit, Patrikanën e Pejës dhe, ndonjëherë edhe Graçanicën. Në Deçan, ta zëmë, të gjithë fshatrat janë të banuar me shqiptarë. Deçani, siç dihet, njihet për arkitekturën karakteristike tradicionale të kullave. Më sa kam njohuri,organizatorët e këtyre pelegrinazheve dhe këta pelegrinë, jo që nuk e kanë vizituar ndonjë fshat apo ndonjë kullë shqiptarepor nuk e kanë vizituar as Komunën e Deçanit për t’u njohur apo për të krijuar ndonjë marrëdhënie kulturore a tjetër.
Përfaqësuesit e kësaj kishe rrinë të heshtur si struci kur kisha greke apo shteti grek kryen inkursione fetare dhe politike ndaj shqiptarëve në përgjithësi dhe shqiptarëve ortodoksë, veçanti.Ata kurrë nuk e kanë çelur gojën ndaj trajtimit jonjerëzor të Greqisë ndaj shqiptarëve të të gjitha besimeve. Ata nuk kanëfolur kurrë për detyrimin e emigrantëve tanë në Greqi për t’i ndërruar emra dhe kombësinë. Ata nuk i kanë mbrojtur kurrë shqiptarët ortodoksë të Rekës në Maqedoninë e veriut dhe as kanë thënë ndonjë fjalë për mbrojtjen e shqiptarëve të paktë ortodoksë që kanë mbetur në Kosovë dhe në Mal të Zi. Ata kurrë nuk kanë folur dhe, meqë kanë marrëdhënie të afërta me kishën greke, asnjëherë nuk e kanë mbrojtur komunitetin ortodoks Shqiptar në Greqi.
Vdekja e Janullatosit duhet të jetë një pikë kthese. Vdekja e këtij ‘peshkopi’ duhet të shënojë fundin e okupimit grek të kishës tonë. Kisha duhet t’i kthehet detyrës së saj që, përveçse e përshpirtshme, është edhe kombëtare. Duhet të bëhet mbrojtëse e ortodoksëve shqiptarë, duhet të bëhet mbrojtëse e historisë së ortodoksisë shqiptare dhe duhet, me gjithçka ka, ta mbrojë identitetin kombëtar dhe historinë kombëtare i cili ka lindur dhe është zhvilluar nga shumë fytyra të njohura kombëtare të përkatësisë ortodokse.
Shembujt e Nolit, të Papa Kristo Negovanit, Stalth Melanit, Naum Veqilhargjit, De Radës, Çajupit, Asdrenit e shumë të tjerëve duhet të bëhen udhërrëfyes të vazhdimit të funksionimit të saj. Sigurisht dhe më e rëndësishmja është qëkjo kishë duhet të bëhet kisha e tërë shqiptarëve ortodoksë në botë dhe duhet të luftojë për ruajtjen e identitetit të tyre ortodoks dhe kombëtar.
Mënyra se si ka funksionuar deri sot, si një organizatë e pushtuar nga demoni hegjemonist politik grek, si një organizatë kozmopolite, inferiore dhe pa identitet nacional dhe patriotik, nuk iu shërben as besimtarëve ortodoksë, as shqiptarëve si komb dhe as shtetit të Shqipërisë.
Unë mendoj se shteti duhet të vë dorë mbi Bashkësinë Fetare Ortodokse dhe mbi Bashkësinë Fetare Islame. Te dyjat, në mënyra të ndryshme, me veprimet e deritashme, i kanë bërë shumë dëm kulturës, identitetit tonë dhe të dyja shteteve tona.
Ndonjë mik i imi ortodoks do të ma mohojë të drejtën që unë si myslimanë të merrem me kishën e tij dhe do ta përqeshë nacionalizmin tim duke më thënë se nacionalizmi është strehëe të marrëve.
S’ka gjë, mund të jem i marrë dhe edhe pse jam myslimannominal, në fund të fundit, jam shqiptar absolut.
Miqtë e mi ortodoksë mund të mos jenë nacionalistë të marrë si unë, por ama shqiptar absolut duhet të jenë.
Gjithsesi që, peshkopit të ardhshëm, nëse do të jetë shqiptar, do t’vi e do t’ia puth dorën.
Nëse shteti lejon që në krye të Kishës Autoqefale Shqiptare (pra jo të Shqipërisë) të vendoset një grek tjetër, turpi embuloftë!