Me ndërime të larta ushtarake është varrosur veterani i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Bajram Sadrijaj, shkruan Gazeta Demos.
Pjesëmarrës në lamtumirën e fundit për ish-ushtarin e UÇK-së, ishin familjarë, miq, bashkëluftëtarë, e gjenerali Daut Haradinaj.
“Me nderime ushtarake, sot bashkë me Gjeneralin, Daut Haradinaj, e shumë komandantë e bashkëluftetarë, në vendlindjen e tij në Gramaqel i dhamë lamtumiren e fundit luftetarit të UÇK-së, veteranit Bajram Sadrijaj. Familja Sadrijaj, ishin shembulli më i mirë se si duhet atdheu”, thuhet në njoftimin e OVL-UÇK-së, dega në Deçan.
Sipas kësaj organizate, Bajrami, iu kishte bashkuar radhëve të UÇK-së bashkë me dy djemtë e tij.
“Në radhet e gjata të UÇK-së ishin të kyqyr baba me dy djemtë, Muharremin dhe Dinen, të cilet ishin luftetarë të Brigades 131 “Jusuf Gërvalla”, ku u plagosen gjatë luftës, por për asnjë moment nuk u dorëzuan. Nuk kishim dallime ani pse vinin nga komuniteti Egjiptian, ata dhanë kontribut gjatë luftes dhe vazhduan në shtetndertim”, theksohet në njoftim. OVL-UÇK dega në Deçan, i ka shprehur ngushëllime familjes dhe shokëve të Bajramit.