Nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Alban Zogaj, ka thënë se veprimet e asamblistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Gëzim Sveçla, janë të papranueshme dhe rrugaçëri e nivelit të lartë.
Pas përfundimit të seancës në Kuvendin Komunal të Prishtinës, shefi i asamblistëve të VV-së, shihet duke i dëmtuar pajisjet në sallën e Kuvendit Komunal.
Këto veprime sipas Zogajt nuk janë risi, pasi konsideron se veprimet të tilla kanë ndodhur edhe në Kuvendin e Kosovës përmes hedhjes së gazit lotsjellës.
“Ajo çka pamë sot në Kuvendin Komunal të Prishtinës është me të vërtetë e papranueshme edhe një vandalizëm i paparë, një rrugaçëri e nivelit të lartë. Në këtë mandat, që tri vite ne jemi munduar që në Kuvend Komunal të Prishtinës me tregua qytetërimin, argumentim përmes argumenteve politike edhe fitore politike në Kuvend Komunal me votë dhe me argumente politike, e asnjë herë me dhunë e me forma të tilla çfarë i pamë sot. Sot, faktikisht ndodhi diçka që ne nuk kishim pas qejf me e pa në kuvendet tona komunale, por u shpërfaq një dhunë të cilën e kemi parë edhe më herët, e kemi parë në Kuvendin e Kosovës, përmes gazit lotsjellës e përmes formave të tjera të dhunës e ajo sot na u shpërfaqë në Kuvendin Komunal të Prishtinës”, ka thënë Zogaj.
Numri dy i Prishtinës ka mohuar akuzat e Lëvizjes Vetëvendosje për blerje të asamblistëve. Ai ka kërkuar që për këto pretendime të drejtohen në organet e drejtësisë.
“Ne sot e kemi votuar buxhetin e Prishtinës për vitin 2025 dhe në votim të buxhetit morën pjesë asamblistët e të gjitha partive politike. Asamblistë të LDK-së, të VV-së, të PDK-së e të gjitha, pra me thënë të drejtën të gjitha partitë politike sot ishin të përfaqësuara në Kuvendin Komunal të Prishtinës me numra të caktuara, por çka është e rëndësishme u votua buxheti i Prishtinës për vitin 2025. Këto akuza unë i shoh jo serioze, nëse kanë ndonjë akuzë të tillë, le të drejtohen organet përgjegjëse. Këto akuza janë më shumë tash me arsyetua veprimet e tyre të dhunës sot që i kanë pas në Kuvend Komunal e ku kanë bërë trysni dhe ku kanë pas qëllim me e prish seancën përmes vandalizmit”, u shpreh Zogaj.
Teksa ka folur për akuzat e VV-së se “projektet infrastrukturore janë në dëm të qytetit”, Zogaj e mendon të kundërtën. Përmend projektet që sipas tij ndikojnë drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve.
“Qytetarët e Prishtinës e kanë votuar Përparim Ramën për kryetar të Prishtinës me këto projekte. Këto projekte janë projekte të cilat ne i kemi prezantuar në kampanjë, asnjë prej këtyre projekteve nuk është jashtë kampanjës dhe jashtë planifikimeve tona dhe këto projekte janë për të mirën e Prishtinës e jo që e dëmtojnë Prishtinën. Tuneli ‘Agim Ramadani’ nuk e dëmton Prishtinën, e liron Prishtinën prej komunikacionit. Platforma ndërlidhëse ‘Arbëri-Qendër’ nuk e dëmton Prishtinën, i lidh dy lagje të mëdhaja, e krijon një ambient të ri fantastik për Prishtinën”, u shpreh Zogaj, teksa përmendi edhe projektin e bulevardit “Xhorxh Bush”, projekt që sipas tij po pëlqehet nga qytetarët. /EO