“Ulpiana-Justiniana Secunda përmban vlera të rëndësishme arkeologjike, në nivel kombëtarë dhe ndërkombëtarë. Nëse punohet me ritmin të cilin e bëjmë sot, duhen edhe 500 vjet gërmime arkeologjike, në mënyrë që ta qesim mbi sipërfaqe komplet qytetin antik të Ulpianës”, thotë për gazetën “Demos”, arkeologu, Milot Berisha. Është njëri rej lokaliteteve më të rëndëssishme arkeologjike që ka Kosova.
Ky lokalitet është një dëshmi e prekshme, që na pasqyron mënyrë se si kanë jetuar paraardhësit e shqiptarëve. Kjo është Ulpiana antike, të cilën ekipi i gazetës “Demos”, e ka vizituar dhe në vazhdim do t’ju sjell një rrugëpërshkrim. Ulpiana antike shtrihet pak kilometra në jug-lindje të Prishtinës. Sot, vendi ku shtrihet ky lokalitet arkeologjik, është tokë pjellore, që punohet nga bujqit e fshatrave përreth. Por, thellë kësaj toke, është i fshehur një civilizim i tërë. Janë të fshehura muret dhe mënyra se si kanë jetuar Dardanët, paraardhësit tanë.
Është i fshehur identiteti i shqiptarëve të Kosovës. Aty takuam arkeologun Milot Berisha, i cili për vite të tëra ka gërmuar në këtë qytet antik, së bashku me ekipin e tij. Ai thotë se lokaliteti arkeologjik Ulpiana-Justiniana Secunda, është një lokalitet shumështresor që në shtrirjen kohore përfshinë periudhën e mileniumit të parë para Krishtit, nga lashtësia dardane e deri në mesjetën e hershme.
Derisa ecë mbi muret antike të qytetit dardan, arkeologu Berisha shpjegon për asetet dhe vlerat e përgjithshme arkeologjike të këtij lokaliteti. “Lokaliteti arkeologjik Ulpiana është i veçantë si në aspektin arkeologjik ashtu dhe në atë arkitektural dhe kulturor, duke ngërthyer traditat arkitekturale të ndërtimeve sipas traditës romake, pastaj asaj paleokristiane përkatësisht bizantine. Edhe vet lokacioni ku gjendet/shtrihet ky lokalitet arkeologjik është një peizazh i veçantë”, thotë Berisha.
Sipas tij, me këtë ritëm të gërmimeve që bëjnë ekipet e Institutit Arkeologjik të Kosovës, duhen edhe 500 vjet punë, për ta qit mbi sipërfaqe komplet qytetin antik të Ulpianës. Edhe drejtoresha për Trashegimi Kulturore në Ministrinë e Kulturës, Vjollca Aliu, thotë për gazetën “Demos”, se lokaliteti arkeologjik Ulpiana-Justiniana Secunda përmban vlera të rëndësishme arkeologjike, në nivel kombëtarë dhe ndërkombëtar.
“Si një lokalitet shumështresor, Ulpiana është njëra nga qendrat më të rëndësishme arkeologjike në vendin tonë dhe në rajon. Gjatë periudhës së metaleve (Epoka e Bronzit dhe Hekurit) e deri në ardhjen e romakëve, Ulpiana ishte një vendbanim më i vogël i tipit opidum. Viteve të fundit janë zbuluar edhe disa gjurmë sporadike të periudhës neolitike që edhe mund të jenë gjurmët e para të jetesës në këtë vend”, thotë drejtoresha Aliu.
Ndryshe, qyteti antik Ulpiana është një nga atraksionet arkeo-turistike më të vizituara në Republikën e Kosovës. Në bazë të statistikave të grumbulluar, vlen të theksohet se në Parkun Arkeologjik të Kosovës, në vitin 2017 në PAU kishte 22.991 vizitorë, kurse në vitin 2018, PAU-n e vizituan 33.248 vizitorë, e që rezulton me rritjen e numrit të vizitorëve (10.257 më shumë). Në vitin 2019, 35.044 vizitorë. Hapja zyrtare e Parkut Arkeologjik të Ulpinës, është bërë më 26 tetor e deri me 31 dhjetor të vitit 2016. Parku Arkeologjik është i hapur çdo ditë, duke përfshirë të dielën dhe festat zyrtare gjatë gjithë vitit. Për shkak të ndryshimeve klimatike sezonale, gjatë sezonit vjeshtë-dimër, parku mbyllët më herët. /GazetaDemos