Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) në mbledhjen e jashtëzakonshme sot ka marrë vendim për reduktimin e punës së gjykatave dhe të njëjtat do të punojnë vetëm për shërbimet esenciale dhe ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës të anulojë vendim për uljen e pagave.
Kryesuesi i KGJK-së, Albert Zogaj ka thënë se nëse qeveria nuk e shfuqizon vendimin, Këshilli do të merr masa tjera nga data 8 dhjetor e këtij viti.
“Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe kryetarët e gjykatave kërkojnë nga Qeveria e Kosovës që menjëherë të anulojë vendimin numër 03/109 të datës 23 nëntor 2022. Puna e gjykatave reduktohet dhe do të vazhdojë vetëm për shërbimet esenciale. Lista e shërbimeve esenciale do të miratohet nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës në takimin e datës 24 nëntor 2022, pra nesër.”
“Këshilli Gjyqësor dhe gjykatat pezullojnë bashkëpunimin dhe pjesëmarrjen në çdo aktivitet të organizuar apo ku janë prezent përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovës. Nëse qeveria e Kosovës nuk shfuqizon vendimin e datës 23 nëntor 2022 numër 03/109, Këshilli Gjyqësor i Kosovës më datë 8 dhjetor 2022 do të vendosë për masa të tjera. Ky vendim i këshillit hyn në fuqi sot me datë 23 nëntor 2022”, ka thënë kryesuesi i KGJK-së, Albert Zogaj në një konferencë për media.