Faqja e internetit e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar doli jashtë linje pa shpjegim të shtunën, ndërsa mijëra pushime nga puna dhe mbyllje programesh vazhduan mes ngrirjes së presidentit Donald Trump për ndihmën e huaj dhe zhvillimin e financuar nga SHBA-ja në mbarë botën.
Bëhet e ditur se demokratët e Kongresit kanë luftuar gjithnjë e më hapur me administratën Trump, duke shprehur shqetësimin se Trump mund të jetë drejt përfundimit të USAID-it si një agjenci e pavarur dhe vendosjes së agjencisë nën juridiksionin e Departamentit të Shtetit.
Por, demokratët thonë se Trump nuk ka autoritet ligjor për të eliminuar një agjenci të pavarur të financuar nga Kongresi dhe se puna e USAID-it është jetike për sigurinë kombëtare.
Ndërsa sipas Trumpit dhe republikanëve të Kongresit, shumica e programeve të ndihmës dhe zhvillimit të huaj janë të kota.
Ata veçojnë programe që thonë se avancojnë agjendat sociale liberale.
E frika nga një veprim edhe më i ashpër i administratës kundër USAID-it vjen dy javë pas ndalimit të miliarda dollarëve të ndihmës humanitare, zhvillimore dhe të sigurisë nga administrata.
Raportohet se SHBA është donatori më i madh në botë i ndihmës humanitare deri më tani.
Ajo shpenzon më pak se 1% të buxhetit të saj për ndihmën e huaj, shkruan CNN.
Ndryshe, presidenti John F. Kennedy krijoi USAID-in në kulmin e Luftës së Ftohtë për të kundërshtuar ndikimin sovjetik.