Javë më parë, kryetari i degës së Lëvizjes Vetëvendosje, Hysni Mehani përmes një shkrimi në Facebook ka shkruar se Gjimnazi “Hamëz Jashari” në Skenderaj do të rrënohet.
Mehani ka shkruar se ky Gjimnaz po shkatërrohet me qëllim të shfrytëzimit të tokës për banesa.
“E di që po e shkatërroni me qëllim për t’ia marrë tokën e për të ndërtuar banesa. Por historinë këtij gjimnazi nuk keni me mujt me ia marrë kurrë“, ka shkruar ai.
Por këtij shkrimi i ka reaguar kryetari i Komunës së Skenderajt, Fadil Nura i cili ka treguar edhe planet e Komunës sa i përket këtij objekti shkollor.
“Pas një angazhimi disa javor rreth rinovimit të objektit të Gjimnazit “Hamëz Jashari”, nëshkruam marrëveshjen me Fondin e Kosovës për Efiçiencë të Energjisë,në vlerën prej 237,157.00 euro”, ka shkruar ai.
“Ky është hapi i fundit përpara se të fillojë puna profesionale rreth modernizimit të objektit shkollor të gjimnazit në qytetin tonë, si institucion me rëndësi të veçantë i cili, jo që është menduar të rrënohet a të lihet në harresë, por të shndërrohet në një nga objektet më moderne”, ka shkruar tutje ai.