Gjatë ditës së sotme ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, z.Besim Kelmendi ka mbajtur takim me Kolegjiumin e kryeprokurorëve të vendit ku kanë marrë pjesë edhe prokurorët e Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, shkruan GazetaDemos.
Në takim u diskutua për zbatimin e Kodit të Ri të Procedurës Penale. Me theks të veçantë, ndryshimet e reja që janë përfshirë në Kodin e Procedurës Penale që ka hyrë në fuqi në muajin shkurt të këtij viti, ku po ballafaqohen prokurorët në të gjitha nivelet e prokurorit të vendit.
U theksua nevoja e vazhdimit të nxjerrjes së udhëzimeve që do të ndihmojnë prokurorët për tejkalmin e sfidave në zbatimin e këtij Kodi.
Mes tjerash, temë e diskutimit në këtë takim ishte edhe aplikimi i Projektit të SMIL, ku u diskutua për progresin e arritur dhe angazhimin e kryeprokurorëve për të realizuar aplikimin e këtij programi nga të gjithë prokurorët në sistemin prokurorial.
U.D. Kryeprokurori Kelmendi njoftoi te kryeprokurorët dhe prokurorët e ZKPSH-së, se do të ketë monitorim të vazhdueshëm në zbatimin e këtij programi, i cili do të ndikojë drejtpërsëdrejti në ngritjen e efikasitetit, llogaridhënies, transparencës, besueshmërisë dhe planifikimit më të mirë të punës.