Policia turke arrestoi sot 30 persona me akuza për korrupsion, përfshirë një ish-ligjvënës nga Partia Republikane Popullore (CHP) kryesore e opozitës dhe kryetarët e bashkive të tre distrikteve të Stambollit të drejtuara nga CHP.
Agjencia shtetërore Anadolu raportoi se arrestimet ishin pjesë e katër hetimeve të ndara për korrupsion që dyshohet se përfshinin Bashkinë e Stambollit.
Kjo përfaqëson valën e pestë të përballjeve ligjore me administratën e Stambollit që nga 19 marsi, kur kryebashkiaku Ekrem Imamoglu u arrestua me akuza për korrupsion.
Arrestimi i Imamoglut, i cili konsiderohet rivali më i madh i Presidentit turk Rexhep Tayyip Erdogan, shkaktoi demonstrata të mëdha, duke kërkuar lirimin e kryetarit të bashkisë dhe liri më të mëdha demokratike në vend, raporton Reuters.
Opozita dhe mbështetësit e saj pretendojnë se arrestimi i Imamoglu-t dhe arrestimi i mëvonshëm i dhjetëra të tjerëve nga CHP-ja, ishin të motivuara politikisht.
“Këtë herë grushti i shtetit nuk erdhi me çizme dhe tanke, por me uniforma prokurorësh”, tha kryetari i CHP-së, Ozgur Ozel, para një turme mbështetësish në qytetin veriperëndimor të Duzze-s