“Turp”, reagon Bekim Jashari pas raportimeve për dyshimet në Aeroport: S’kam qenë asnjëherë nën hetime

Ish-kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari, ka thënë se asnjëherë nuk ka qenë dhe as nuk është nën hetime, i dyshuar apo i akuzuar për ndonjë vepër penale.

Kjo deklaratë e tij vjen pasi sot Prokuroria Speciale njoftoi se Bahri Nuredini së bashku me zyrtarin tjetër me inicialet D.M., dyshohen për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’ në Aeroportin e Prishtinës.

Ai tha se disa media kanë vendosur ta njollosin emrin e tij se kinse “Bekim Jashari ka qenë nën hetime për kohën sa kishte qenë kryetar i bordit të Aeroportit”.

“Tërë angazhimin tim në shërbim të vendit dhe qytetarëve të Kosovës, e kam bërë me përgjegjësi të plotë, duke dhënë shembull dhe duke arritur suksese konkrete në menaxhim efikas dhe udhëheqje me duar të pastra”, shkroi ai.

Madje Jashari shprehu bindjen e tij të plotë që personat që u është ngritur aktakuzë nga Prokuroria Speciale janë të pafajshëm.

“Liria e shprehjes nuk duhet të keqpërdoret, në emër të saj nuk duhet të gënjejmë, shpifim dhe cenojmë tjetrin asnjëherë. Këtë duhet ta kenë të qartë gezatarët misionar të politikës, të pasuruar po mbi këto veprime të cilat tash veçse i kanë përvetësuar mirë. Turp!”, përfundoi Jashari.

Reklama