Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar të martën se homologu i tij rus, Vladimir Putin, e kishte telefonuar dhe i kishte ofruar ndihmë lidhur me Iranin, gjatë sulmeve ndërmjet Izraelit dhe Iranit.
Duke folur për gazetarët në Air Force One, gjatë rrugës së tij për në Hagë për samitin e radhës të liderëve të NATO-s, Trumpi është pyetur nëse do të nënshkruante ndonjë deklaratë të samitit që flet për agresion të Rusisë.
Trumpi ka thënë se Putini e kishte thirrë dhe e kishte pyetur nëse kishte nevojë për ndihmë sa i përket Iranit, mirëpo ky i i është përgjigjur se ka nevojë për ndihmë lidhur me Putinin.
“Siç e dini, Vladimiri më telefonoi. Ai tha, a mund t’ju ndihmoj me Iranin? Unë thashë, jo, nuk kam nevojë për ndihmë me Iranin. Kam nevojë për ndihmë me ty. Dhe shpresoj se do të arrijmë një marrëveshje me Rusinë, gjë që është për të ardhur keq. 6,000 ushtarë vdiqën javën e kaluar. Më shumë, 6,500 ushtarë vdiqën javën e kaluar. Rusia, Ukraina, një luftë që nuk do të kishte ndodhur kurrë nëse unë do të isha president”, është shprehur Trumpi.
Presidenti amerikan ka nisur përpjeket për të arritur paqen mes Rusisë dhe Ukrainës, me t’u rikthyer në Shtëpinë e Bardhë për mandatin e dytë, mirëpo deri tani nuk kanë pasur sukses.
Në dy runde bisedimesh që janë zhvilluar mes dy shteteve në Stamboll, krejt çka është arritur janë dy marrëveshje: njëra për lirimin e të burgosurve dhe tjetra për lirimin e trupave të ushtrëve të vrarë në luftë.
Një rund tjetër bisedimesh nuk është caktuar ende.
Të dy palët ia kanë paraqitur njëra-tjetrës kushtet për armëpushim dhe fund të luftës të cilat janë pothuajse krejtësisht të kundërta.