Drejtori i Shëndetësisë në komunën e Prishtinës, Izet Sadiku, tha se në rritjen e rasteve të reja me Covid-19 në Kosovë ndikoi edhe ardhja e diasporës dhe përgjithësisht lëvizja e njerëzve nëpër vende të ndryshme gjatë sezonit të verës.
Ai në T7 tha se ka pasë edhe shtim të fluksit të pacientëve nëpër Qendrat e Mjekësisë Familjare.
“E dimë që vera është një stinë që ka shumë lëvizje të popullsisë, sidomos te ne për shkak të një numri të madh të diasporës që bëhet te ne dhe jashtë, kanë ndikuar që të rritet numri i të infektuarve”.
Sadiku tha se asnjëherë nuk është thënë se do të zhduket COVID-19, por thotë se është “një sëmundje që tash është e menaxhueshme” në krahasim me vitet kur shpërtheu.
Ai tha se falë numrit të madh të qytetarëve që e kanë kaluar sëmundjen dhe falë vaksinave si rrjedhojë është krijuar imunitet te qytetarët.
“Përkundër që është rritur numri edhe në vendet tjera, s’kemi mbyllje apo masë të veçantë. Duhet të ketë vigjilencë dhe kujdes më të madh, duhet të ketë përdorim të masave mbrojtëse më shumë gjatë kontaktit me qytetarë dhe qytetarët të mos bëjnë grumbullime të panevojshme për arsye që të shpëtohet sa më shumë jetë të njerëzve”.
Ai ka rekomanduar vaksinën sidomos për kategoritë me rrezikshmëri për ballafaqim për këtë sëmundje sepse “ka sasi të mjaftueshme”.
“Ne gjatë këtij viti kemi pasë diku 270 pacientë që kanë marrë dozën e re të vaksinës, një pjesë e tyre ka qenë edhe për shkak të nevojave për udhëtime”.