Sipas një analize të re të të dhënave – e cila është më e madhja e këtij lloji deri më tani – më shumë se 2.8 milionë njerëz në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) identifikohen si persona transgjinorë, përfshirë rreth 724 mijë të rinj.
Studiuesit nga Instituti Williams në Los Angeles përdorën sondazhe dhe të dhëna nga agjencitë shtetërore të shëndetësisë për të përcaktuar madhësinë dhe të dhënat demografike të popullatës transgjinore në çdo shtet.
Analiza, e ndarë me gazetën The Guardian, dokumentoi mijëra të rinj transgjinorë.
Gjetjet bien ndesh me pretendimet e presidentit amerikan, Donald Trump, i cili mohon ekzistencën e të miturve transgjinorë, ndërkohë që administrata ka hequr referencat për personat trans nga agjencitë federale.
Autorët paralajmërojnë se studimi i tyre mund të jetë portreti i fundit gjithëpërfshirës i popullsisë transgjinore në vend në dhjetë vitet e fundit, ose më shumë, për shkak se personat trans po fshihen nga kërkimet jetike amerikane, përfshirë raportet shëndetësore dhe analizat e të dhënave për krimin.
Disa nga gjetjet kryesore tregojnë se një për qind e popullsisë së përgjithshme të SHBA-së mbi moshën 13 vjeç identifikohet si transgjinore, përfshirë 0.8 për qind të të rriturve (më shumë se 2.1 milionë njerëz) dhe 3.3 për qind të të rinjve të moshës 13 deri në 17 vjeç (rreth 724 mijë njerëz).
Të rinjtë e moshës 18 deri në 24 vjeç identifikohen dukshëm më shpesh si transgjinorë sesa ata të moshës 35 deri në 64 vjeç.
Nga 2.1 milionë të rritur trans, 32.7 për qind (698.500) janë gra trans, 34.2 për qind (730.500) janë burra trans dhe 33.1 për qind (707.100) janë persona trans jobinare.