Të paktën 27 persona kanë humbur jetën në përmbytjet shkatërrimtare që kanë goditur Qarkun Kerr në Teksas, pas reshjeve të rrëmbyeshme të shiut. Mes viktimave janë 9 fëmijë dhe 18 të rritur, përfshirë Renee Smeistralën, një vajzë 9-vjeçare e cila ndodhej në një kamp veror në zonë.
Tragjedia përfshin edhe të paktën 20 vajza të tjera që ndodheshin në të njëjtin kamp dhe rezultojnë ende të zhdukura. Autoritetet kanë nisur një operacion të gjerë kërkimi dhe shpëtimi, ndërsa frika për fatin e tyre rritet nga ora në orë.
Kampi Mystic, i njohur për vajzat e krishtera dhe i vendosur buzë lumit Guadalupe, është shkatërruar plotësisht. Mbi 700 fëmijë ndodheshin aty në momentin e përmbytjes, ndërsa niveli i lumit u rrit me rreth 8 metra brenda pak orësh për shkak të reshjeve të mëdha.
Zyrtarët lokalë kanë cilësuar situatën si “kërcënuese për jetën” dhe emergjencat vazhdojnë të koordinojnë ndihmat për banorët dhe kampistët e prekur nga kjo katastrofë.