Maqedonia e Veriut është tronditur nga një ngjarje e rëndë, ku si pasojë e një zjarri që ka shpërthyer në një diskotekë në Koçan, 51 persona kanë humbur jetën dhe mbi 100 të tjerë kanë mbetur të lënduar.
Një numër i madh i viktimave kanë vdekur në vendin e ngjarjes, ndërsa disa prej tyre pasi kanë arritur në spital.
Ministri i Shëndetësisë së Maqedonisë, Arben Taravari, në konferencën e sotme për media ka bërë të ditur se gjithsej 118 persona janë shtruar në spitalet e Koçanit, Shtipit dhe Shkupit.
Ai theksoi se të gjithë pacientët po marrin kujdesin e nevojshëm mjekësor dhe se sistemi shëndetësor është plotësisht i mobilizuar.
“Nuk ka pacient që nuk po përkujdeset, të gjitha kapacitetet janë vënë në funksion. Ne do të bëjmë çmos për të shpëtuar sa më shumë jetë të jetë e mundur”, ka potencuar Taravari.
Mes tjerash, ai ka njoftuar se gjatë ditës do të vizitojë disa nga klinikat kirurgjikale ku do të marrë më shumë informacion për gjendjen e të lënduarve.