Zyrtari i lartë i Vatikanit, Imzot Paul Richard Gallagher ka shprehur mbështetjen e Selisë së Shenjtë për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, ka bërë të ditur sot Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë Lindita Nikolla pasi e ka pritur në takim arqipeshkvin në një vizitë zyrtare në Tiranë.
Nikolla ka shkruar se Imzot Gallagher midis tjerash ka theksuar gjithashtu mbështetjen për zbatimin e marrëveshjes së Ohrit dhe afrimin drejt njohjes së Kosovës.
“Takim i përzemërt e miqësor me Sekretarin për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare të Vatikanit, Imzot Paul Richard Gallagher. Marrëdhëniet dypalëshe të shkëlqyera mes Shqipërisë dhe Vatikanit janë rikonfirmuar nga vizitat e viteve të fundit të dinjitarëve të lartë shtetërorë, Presidentit të Republikës, Kryetares së Kuvendit dhe Kryeministrit”, është shprehur Nikolla.
Ajo shtoi se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Vatikanit shkojnë përtej marrëdhënieve institucionale, ato janë shpirtërore dhe frymëzuese për shqiptarët, si një komb me vlera e simbole të fuqishme.
“Mirënjohje Vatikanit dhe Kishës Katolike për realizimin në Shqipëri të projekteve në arsim, trashëgimi kulturore, shëndetësi, shërbimet sociale etj. dhe vazhdimin e tyre në të ardhmen”, tha Nikolla.
Ishte kënaqësi të dëgjoja vlerësimet e Imzot Gallagher se Vatikanit beson se Shqipëria ecën në drejtimin e duhur, drejt destinacionit të saj në Bashkimit Evropian dhe se kjo vizitë është dëshmi e këtij besimi”, shtoi Nikolla. Se Shqipëria dhe Ballkani Perëndimor janë një prioritet për Vatikanit si edhe për inkurajimin dhe mbështetjen e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe afrimin drejt njohjes së Kosovës”, shtoi Nikolla.