Shkruan: Bedri Halimi
Këtu më poshtë po japim theksime nga deklarimet publike të disa personaliteteve botërore për luftën dhe pjesëmarrjen e shteteve të tyre në bombardimet ndaj Serbisë.
BILL CLINTON: KRENAR QË NDALËM SPASTRIMIN ETNIK NË KOSOVË
“Unë gjithmonë do të jam krenar me faktin se unë isha president i SHBA-së në kohën kur ju patët nevojë që dikush të ngritet dhe ta thotë se nuk ka më spastrim etnik, nuk ka më përndjekje të njerëzve nga shtëpitë e tyre, jo më vrasje të civilëve të pafajshëm”,
Kështu në këtë rast po rikujtojmë thekse nga fjalimi historik i Bill Clinton më 24 mars, 1999, që i tregoi amerikanëve dhe botës pse duhej ndërhyrje ushtarake në Kosovë:
“Edhe pse shqiptarëve nuk iu dhamë krejt çfarë deshën, edhe pse njerëzit e tyre ende po trajtoheshin egërsisht, ata e panë se një paqe e drejt është më e mirë se sa një luftë nga e cila nuk fiton askush”…
Ne vepruam për të mbrojtur mijëra njerëz të pafajshëm të Kosovë nga një ofensivë e madhe ushtarake.
Vepruam për ta ndaluar një luftë më të madhe, për ta shuar një fuqi baruti në zemër të Evropës, që ka eksploduar dy herë më parë në këtë vend me përfundime katastrofale.
Në vitin 1989 lideri serb Slobodan Millosheviç, i njëjti lider që filloi luftën në Bosnje dhe Kroaci, dhe bëri lëvizje kundër Sllovenisë në dekadën e fundit, e zhveshi Kosovën nga autonomia kushtetuese që kishin njerëzit e saj. Kështu, duke u mohuar atyre të drejtën për të folur gjuhën e tyre, për të pasur shkollat e tyre, dhe ta jetojnë përditshmërinë ashtu si duan.
Për vite të tëra, Kosova u mundua në mënyrë paqësore të kthej të drejtat e veta. Kur presidenti Millosheviç dërgoi trupat ushtarakë dhe policorë për t’i shtypur ata, situata mori përmasa të dhunshme.
Derisa kosovarët po nënshkruanin për t’i thënë po paqes, Serbia stacionoi 40 mijë trupa brenda dhe rreth Kosovës në një përgatitje për një ofensivë edhe më të madhe dhe në kundërshtime të qarta me zotime që vetë kishin dhënë.
Tani ata kanë filluar të lëvizin nga fshati në fshat, duke garantuar civilë dhe shkatërruar shtëpi. Kemi parë njerëz të pafajshëm duke u dëbuar nga shtëpitë e tyre, duke u detyruar të gjunjëzohen në baltë dhe duke u spërkatur me breshëri plumbash. Burrat kosovarë u tërhoqën zvarrë nga familjet e tyre, baballarë e bijë së bashku, të rreshtuar, dhe të qëlluar për vdekje me gjakftohtësi. Kjo nuk është luftë në kuptimin e vet tradicional. Është një sulm me tankse dhe artileri në njerëz kryesisht të pambrojtur, liderët e të cilëve veç ishin pajtuar për paqe.
Dhënia fund kësaj tragjedie është një imperativ moral.
Gjithashtu është e rëndësishme për interesin nacional të Amerikës. Shikojeni këtë hartë. Kosova është një vend i vogël, që rri ulur në qendër të rripit ndarës në mes të Evropës, Azisë dhe Lindjes së Mesme, në vendtakimin e islamit me degëzimet perëndimore dhe ortodokse të krishterimit.
Për gjatë këtyre muajve të fundit, kemi bërë krejt çfarë është e mundshme të bënim, për ta zgjidhur këtë problem paqësisht. Sekretarja Albright ka punuar papushim për një marrëveshje të negociuar. Zotëri Millosheviç ka refuzuar.
Të shtunën, kam dërguar ambasadorin Dick Holbrooke në Serbi për t’ia bërë të qartë atij përsëri në emër të SHBA-ve dhe NATO-s se ai duhet t’u qëndrojë besnik zotimeve të veta dhe ta ndalojë represionin ose do të ballafaqohet me aksione ushtarake. Përsëri, ai refuzoi.
Nëse ne dhe aleatët tanë e lejojmë këtë luftë të vazhdojë pa i dhënë përgjigje, presidenti Millosheviç do ta lexojë hezitimin tonë si leje për të vrarë. Do të bëhen shumë maskara, dhjetëra mijëra refugjatë, viktima që qajnë për hakmarrje. Tani, vendosmëria jonë është e vetmja shpresë që populli i Kosovës ka për të qenë në gjendje që të jetojnë në vendin e tyre, pa pasur nevojë të frikësohen për jetët e tyre.
Amerika ka përgjegjësi të qëndrojë me aleatët tonë kur ata po provojnë të shpëtojnë jetë të pafajshme dhe ta ruajnë paqen, lirinë dhe stabilitetin në Evropë. Kjo është ajo çfarë po bëjmë në Kosovë.
TANY BLAIR: BOMBARDIMI I SERBISË, GJËJA E DUHUR – DO TË QËNDROJMË PËRKRAH POPULLIT TË KOSOVËS
“Atëherë besova se ishte gjëja e duhur për të bërë – jam i bindur se ishte gjëja e duhur edhe tash. Dhe besoj se ne duhet të vazhdojmë të qëndrojmë përkrah popullit të Kosovës”,
Tony Blair, ka deklaruar se ndërhyrja e aleatëve të NATO-s në vitin 1999 ka qenë e nevojshme dhe se ekzistenca e shtetit të pavarur të Kosovës është dëshmi e kësaj, prandaj nuk është penduar asnjëherë që e ka ndihmuar Kosovën në momentet më të vështira.
“Takuam refugjatë kosovarë në kampet afër Shkupit, dëgjuam rrëfime të prekshme. Në fytyrat e tyre kërkohej ndihmë. Ne ndihmuam dhe nuk jam penduar kurrë”,
“Për mua lufta për Kosovën nuk ka qenë vetëm për kosovarët por për të gjithë ne, përfshirë edhe vendin tim i cili ka vlerësuar se liria është një gjë që duhet luftuar për të. Ishte luftë për liri, por jo thjeshtë për të qenë të lirë, por sepse liria hap mendjen dhe shpirtin e njeriut”,
GERHARD SCHRÖDER: PSE GJERMANIA NDËRHYRI NË LUFTËN E KOSOVËS
Sipas Schröderit, lufta e Kosovës e bëri thellësisht të qartë domosdoshmërinë e angazhimit të Gjermanisë në përpjesëtim me rolin e saj të ri në arenën e politikës ndërkombëtare si vend i bashkuar dhe me njërën prej ekonomive më të zhvilluara në botë. Schröder e pranon se lufta e Kosovës i kishte zënë të papërgatitura të gjitha partitë politike gjermane. “Por, nën presionin e rrethanave ne nuk kishim mundësi të vepronim ndryshe”, shkruan ai.
“Sidomos ne gjermanët s’duhej të lejonim që në Evropë të shkelen të drejtat e njeriut në mënyrë më brutale”.
Schröder i përshkruan veprimet e shtetit serb në Kosovë si “fushatë shfarosjeje kundër popullsisë shqiptare”: “Aksionet e serbëve ishin dëshmi e ashpërsisë, e gatishmërisë cinike për shfarosje. Pamjet të kujtonin krimet e komandove gjermane në Luftën e Dytë Botërore. Ndoshta ishte ky asocim, i cili ndikoi që Joschka Fischeri të thotë ‘Kurrë më Auschëitz’. Pra, kush hynte në kabinetin tim, ai e dinte se nuk ka alternativë sa i përket pjesëmarrjes në luftën e Kosovës…”.
Ai shkruan: “Joschka Fischeri dhe unë e kishim të qartë prej fillimit se të gjitha përpjekjet tona duhet të orientohen në arritjen mundësisht të shpejtë të qëllimit të vetëm të luftës: tërheqjen e ushtrisë serbe nga Kosova – dhe përfundimin e menjëhershëm të luftës.
Po ashtu Serbia duhej të garantonte se kjo tërheqje ishte përfundimtare. Edhe në këtë pikë ishim të një mendjeje”.
“Mjeshtri i momentit” Schröder shkruan se nga lufta e Kosovës, Evropa ka nxjerrë mësimin se pa ndihmën e SHBA-së nuk ishte në gjendje të zgjidhte një konflikt të tillë në kontinent.
SI UA ARSYETONTE FRANCEZËVE JACQUES CHIRAC BOMBARDIMIN E SERBISË PËR KOSOVËN?
Chirac ishte president i Francës në ditët e vështira për Kosovën nga regjimi serb i Millosheviqit dhe ai mbajti anën e drejtë. Në letrën e tij të përgjigjes drejt shkrimtarit shqiptar Ismail Kadare, në shtatorin e vitit 1998 deklaronte se Franca nuk e përjashtonte ndërhyrjen e NATO-s nëse SlobodanMillosheviqi nuk do t’i bindej perëndimit, që do ta bombardonte në marsin e vitit 1999 regjimin e “Kasapit të Ballkanit”.
Në prag të ndërhyrjes ushtarake të NATO-s ndaj Serbisë, duke iu adresuar popullit francez për arsyet pse Franca ka dalë në përkrahje të një intervenimi ushtarak, Chirac kishte deklaruar:
“Sjellja e qeverisë serbe është e papranueshme. Evropa nuk mund të qëndrojë në këmbë ndërsa ky njeri dhe qeveria e tij janë brenda kufijve të saj. Millosheviq për më shumë se dhjetë vjet po kryen spastrim etnik sistematik në Kroaci, Bosnje, Slloveni dhe tani në Kosovë. Ai ka urdhëruar vrasje dhe masakra dhe ka destabilizuar të gjithë rajonin. Si rezultat, më shumë se 200 mijë njerëz kanë vdekur dhe miliona njerëz u është dashur të largohen nga shtëpitë e tyre, me qindra e mijëra familje janë ndarë mes vete dhe qindra fshatra janë shkatërruar. Kjo tani duhet të marrë fund. Ne kemi provuar të bëjmë gjithçka për ta ndaluar këto mizori. Ka ardhur koha për të ndaluar vrasjet dhe për t’i pamundësuar mjetet me të cilat regjimi i Millosheviqit po shkakton këto krime. Me muaj, Evropa, Amerika dhe Rusia janë përpjekur bashkërisht për të gjetur një zgjidhje të drejtë dhe paqësore të kësaj krizës, së fundmi edhe në Francë në konferencën e Rambouillet. Përballë refuzimit të këtyre përpjekjeve nga serbët dhe presidenti i tyre, duhej të merrej vendimi për t’u përfshirë në aksione ushtarake”
MASSIMO D’ALEMA: SI HYRI ITALIA NË LUFTË NË KOSOVË
Vendimi për të vepruar ushtarakisht dhe impenjuar Italinë qe politik dhe u mor më pas. Faktikisht, nuk kishte unanimitet në kancelaritë e ndryshme europiane. Padyshim që pati një presion të fortë amerikan dhe anglez, një rezistencë të caktuar nga francezët dhe, sidomos, rezistencë nga gjermanët dhe ne. Por skena ndryshoi, pasi njoftimet për masakrat pasoheshin nga pamjet e tmerrshme e vuajtjeve që përjetonin popullsitë civile. Në atë pikë u bë e qartë se një aksion i drejtpërdrejtë nga ana e NATO nuk ishte më i evitueshëm dhe nuk kish sesi të mos ishte NATO ajo që ta drejtonte, pasi në Kombet e Bashkuara ishte blloku ruso – kinez, armiqësor ndaj ndërhyrjes. Pastaj u vumë përballë pushtimit masiv të Kosovës nga ana e forcave të armatosura serbe, që shkaktoi një eksod masiv për t’i shpëtuar spastrimit etnik. Situata precipitoi. Kujtoj se shkova midis Shqipërisë e Kosovës, ku Italia ishte e impenjuar në iniciativa solidariteti dhe pashë atë lumë njerëzish që derdhej nga përtej kufirit, me njerëz të plagosur e të tronditur që kërkonin ndihmë. Perceptohej e gjithë tragjedia e një populli. Qe atëherë që u bindja se nuk mund të bëhej gjë tjetër përveçse të ndërhyhej.
Kujtoj se pas një serie takimesh me anglezë dhe amerikanë organizova një takim të rezervuar me Milan Milutinoviçin. Përfitova nga fakti që kishim të njëjtin dentist që ka një histori e cila ndërthuret me atë të dy vendeve. Në fakt, dentisti ynë është i biri i një antifashisti që ishte arratisur në Jugosllavi, ishte rritur atje dhe ishte shumë i lidhur me atë botë. E dija se Milutinoviçi vinte fshehurazi në Romë për tu kuruar dhe kështu që gjeta mënyrën për ta takuar tek dentisti. Pata një bisedë të gjatë me të. Ishte President i Serbisë në momentin kur Sllobodan Millosheviçi ishte President i Federatës. Nga ana e tij, nuk kishte asnjë vullnet për gjetjen e një kompromisi dhe kuptova se nuk mbetej tjetër veç ndërhyrjes ushtarake. Dhe mora përgjegjësitë e mia. Lufta është diçka që një politikan kurrë nuk duhet ta urojë se do t’i duhet ta bëjë, ama, kur është, duhet t’i marrë përsipër përgjegjësitë. Nuk mund të thotë “nuk doja”, “më kanë detyruar”, siç ka bërë Berlusconipër Irakun ose Libinë.
“Ishte një vendim i dhimbshëm për mua, por që e konsiderova të pashmangshëm sepse për mua pati shumë rëndësi përvoja që kalova duke ardhur në mars në Shqipëri, shkova në kufi në Kosovë, në pikën ku vinin refugjatët dhe duhet të them që pamja që pashë, e familjeve, njerëz të plagosur më goditi shumë dhe më bëri të kuptoj që ajo po ndodhte ishte një pastrim etnik i Kosovës dhe në atë moment u binda që duhej të vepronim”.
JAVIER SOLANA: KOSOVA ËSHTË RAST UNIK
Kosova është rast unik dhe nuk mund të krahasohet me republikat që nuk janë njohur në ish Bashkimin Sovjetik, konfliktet e të cilave duhet të zgjidhen brenda formatit ekzistues negociator, ka thënë shefi për Politikë të Jashtme i BE-së, Javier Solana.
Në një prononcim për të përditshmen ruse “NezavisnayaGazeta”, Solana e quajti Kosovën rast “sui generis”, por jo precedent për konfliktet tjera.
“Këshilli i Sigurimit përmes rezolutës 1244 e vendosi misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë, dhe gjithashtu e nisi procesin politik, i cili nënkuptonte përcaktimin e statusit të ardhshëm të Kosovës. Një vendim i tillë nuk është marrë nga Këshilli i Sigurimit për asnjë konflikt tjetër. Situata rreth Kosovës duhet të shihet si pjesë e kollapsit historik të ish Jugosllavisë”, ka thënë Solana.
WESLEY CLARK: LUFTA E KOSOVËS, LUFTË PARIMESH DHE PERSONALITETESH
Gjenerali Wesley Clark, në librin “Waging Modern War”, thotë se Liria e Kosovës është mrekulli në vete.
Lufta për Kosovën jo vetëm që përmbysi një rend shtetëror të mbajtur nga Beogradi për gati një shekull të tërë, falë luftërave të mëparshme ballkanike dhe botërore në të cilat Serbia u gjet në anën perëndimore të historisë, por aq më tepër kjo luftë përmbysi pothuaj të gjitha rregullat politike dhe ushtarake të cilat ishin në fuqi në Perëndim pas Luftës së Dytë Botërore.
“Luftë moderne”, e cilëson Gjenerali Clark luftën për Kosovën. Kjo luftë u paraqit, sipas tij, si funksion i historisë dhe kulturës, si rezultat i NATO-s, i mediave, i teknologjisë.
MADELEINE ALBRIGHT: SI E NDALËM LUFTËN NË KOSOVË
Si Sekretare Shteti jam ndeshur me një sfidë të ngjashme në Ballkan. Në fillim të viteve ‘90, diktatori serb, SllobodanMillosheviç, kish nisur tri luftëra të pasuksesshme: kundër Sllovenisë, kundër Kroacisë dhe kundër Bosnjës. Në vitin 1999, ai e drejtoi armiqësinë e tij kundër shumicës etnike shqiptare në Kosovë…
Gjatë një viti studiova çdo rrugë të mundshme për të siguruar një zgjidhje diplomatike që të respektohej nga të dy palët. Shqiptarët më në fund e pranuan propozimin tonë; Millosheviçi e refuzoi, duke ndërsyer forcat e tij të sigurimit kundër popullsisë civile. Interesi i tij ishte t’i dëbonte shqiptarët nga Kosova, duke vrarë udhëheqësit e tyre, duke djegur fshatrat e tyre dhe duke përhapur terror. Qëllimi i tij ishte që problemin e Kosovës “ta zgjidhte” një herë e përgjithmonë.
Kjo gjë e vuri administratën e Clinton-it dhe NATO-n përpara një zgjedhjeje të vështirë. Ose të lejonim Rusinë të përdorte veton me të cilën na kish kërcënuar, duke mos na lënë të vepronim, ose të përdornim forcën për të shpëtuar popullin e Kosovës edhe pa lejen e shprehur të Kombeve të Bashkuara. Punova tej mase shumë dhe ia dola mbanë për përdorimin e variantit të dytë.
Arsyet e mia ishin pjesërisht strategjike: Europa nuk do të ishte asnjëherë plotësisht në paqe, për sa kohë që Ballkani të ishte i pastabilizuar dhe Ballkani nuk do të ishte i stabilizuar për sa kohë që Millosheviçi do të ishte në pushtet. Gjithsesi, motivi im kryesor ishte moral: Nuk doja të shihja të vriteshin njerëz të pafajshëm. Prania e NATO-s në Europë na dha mjetet për të ndalur spastrimin etnik në atë kontinent, ndërsa unë shpresoja se duke bërë këtë, do të ndihmonim që krime të tilla të mos ndodhnin edhe gjetiu.
Gjatë gjithë luftës, ne vazhduam përpjekjet diplomatike për të vendosur paqen. Më në fund, këto përpjekje u kurorëzuan me sukses. Millosheviçi kapitulloi; serbët i tërhoqën forcat e sigurimit nga Kosova; refugjatët u lejuan të ktheheshin; në vend u vendos një forcë paqeruajtëse e kryesuar nga NATOjadhe Kombet e Bashkuara arritën të kontribuonin në rindërtimin e vendit.