“Territori i Kosovës” – FFK ankohet në UEFA kundër provokimit spanjoll

Dueli mes Kosovës dhe Spanjës U-21, i paraparë të zhvillohet të martën në orën 19:00 në Prishtinë, është nxehur për shkak të qasjes provokuese spanjolle ndaj kombëtares së Kosovës.
Federata e Futbollit të Spanjës (RFEF) i është referuar Kosovës si “territor” në komunikimet e saj zyrtare para ndeshjes së sotme.
Qasja provokuese spanjolle ka nxitur reagimin e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), e cila sot pasdite ka paraqitur notë proteste në UEFA kundër veprimit “të papranueshëm të RFEF-së”.
Përmes një shkrese zyrtare, presidenti i FFK-së, Agim Ademi i është drejtuar sot presidentit të UEFA-s, Aleksandër Çeferin dhe presidentit të RFEF-së, Rafael Louzan.
Në letër, Ademi ka kërkuar reagim të menjëhershëm nga UEFA, si dhe korrigjim publik nga Federata e Futbollit të Spanjës.
Shkresa e plotë:
I nderuar President Çeferin,
Shpresoj që kjo letër t’ju gjejë me shëndet të mirë.
Në këtë periudhë të ngarkuar, do të preferoja të adresoja çështje më konstruktive dhe më vizionare që lidhen me të ardhmen e futbollit evropian. Mirëpo, fatkeqësisht, sërish jam i detyruar të ngre një problem që vazhdon të dëmtojë përfaqësimin tonë në garat evropiane, e që lidhet me mënyrën se si disa federata anëtare trajtojnë ekipet tona kombëtare.
Rasti i fundit ka të bëjë me Federatën e Futbollit të Spanjës (RFEF), e cila në kanalet e saj zyrtare në rrjetet sociale i është referuar Kosovës si “Territori i Kosovës”. Një qasje e tillë e mohon sovranitetin e Kosovës, e cila është shtet i pavarur dhe i përfaqësuar nga Federata e Futbollit të Kosovës, anëtare e barabartë dhe e plotë e UEFA-s, ashtu siç është edhe vetë RFEF.
Për fat të keq, nuk është hera e parë që përballemi me një sjellje të tillë nga Federata e Futbollit të Spanjës dhe ne e konsiderojmë këtë plotësisht të papranueshme. UEFA qëndron mbi vlera si uniteti, respekti dhe barazia ndërmjet të gjithë anëtarëve të saj, prandaj këto parime duhet të respektohen jo vetëm në veprime, por edhe në fjalë, nga çdo federatë anëtare.
Prandaj, kërkojmë nga UEFA një reagim të qartë dhe të menjëhershëm për këtë çështje, si dhe një korrigjim publik dhe pranim zyrtar nga Federata e Futbollit të Spanjës, duke e pranuar se veprimet e tyre ishin të papërshtatshme dhe në kundërshtim me parimet themelore të UEFA-s.
Ne shpresojmë dhe besojmë se Federata e Futbollit e Kosovës do të vazhdojë të trajtohet si një anëtare e barabartë e UEFA-s, jo vetëm nga vetë UEFA, por edhe nga të gjitha federatat tjera kombëtare.
Ju falënderoj sinqerisht për vëmendjen ndaj këtij problemi serioz dhe presim veprime të shpejta në mbështetje të kësaj çështjeje.
Me respekt,
Agim Ademi
President