Tentuan të vrisnin me mjet të mprehtë 29-vjeçarin, arrestohen dy persona në Vlorë

Një sherr mes të rinjve ka ndodhur në një parking në lagjen “1 maji” në Vlorë, ku dy persona tentuan të vrisnin me mjet prerës një 29-vjeçar.

I riu i identifikuar me inicialet R.M., u plagos ndërsa u dëmtua edhe 25-vjeçari i identifikuar me inicialet K.K., të dy banues në fshatin Xhyherinë, Vlorë. Sherri me dy autorët, të cilët kanë rënë në prangat e policisë nisi prej një konflikti për motive të dobëta.

Autorët e dyshuar janë identifikuar si: E. M., 37-vjeç dhe shtetasi i mitur S. M., 17- vjeç, të dy banues në Fier.

Gjatë kontrollit fizik 17-vjeçarit, iu gjet dhe sekuestrua një përforcues grushti, ndërsa 37-vjeçarit iu sekuestrua automjeti i markës “Mistubishi”, të cilin e drejtonte në gjendje të dehur në momentin e prangosjes nga shërbimet e Policisë.

Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, në ngarkim të shtetasit E. M., për veprat penale “Vrasje me dashje”, mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim, “Plagosje e lehtë me dashje” dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt” dhe në ngarkim të shtetasit S. M., për veprat penale, “Vrasje me dashje”, mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim, “Plagosje e lehtë me dashje” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.

Reklama