LajmeNdërkombëtare

“Të uriturit po ndihmojnë të uriturit” – mjekët në Gaza po rrëzohen nga uria

Në Spitalin Nasser dhe në gjithë Gazën, situata humanitare po përkeqësohet nga ora në orë. Mjekët dhe pacientët po luftojnë për mbijetesë mes kolapsit total të sistemit shëndetësor dhe krizës ekstreme të urisë.

Mjekët punojnë me stomak bosh, shpesh duke i humbur ndjenjat nga rraskapitja, ndërsa para syve të tyre po vdesin foshnjat e kequshqyera. Sipas CNN-it, ndihma humanitare vazhdon të jetë e pamjaftueshme.

Doktori Mohammad Saqer, drejtor i infermierisë në Spitalin Nasser, tha për CNN se një ditë i kishte humbur ndjenjat në repart gjatë punës, për shkak të urisë ekstreme.

“Kolegët e mi më kapën para se të rrëzohesha dhe më dhanë lëngje intravenoze dhe sheqer. Ishte një mjek i huaj që e kishte një lëng Tango dhe ma përgatiti. E piva menjëherë,” tha ai.
“Nuk jam diabetik – kjo ishte nga uria. Nuk ka sheqer. Nuk ka ushqim”.

Ai shton se rënia pa ndjenja në vendin e punës është bërë gjithnjë e më e zakonshme edhe për kolegët e tij.

“Jemi tërësisht të shteruar fizikisht, dhe ndërkohë duhet të trajtojmë pacientë që janë po aq të rraskapitur. Njerëz të rraskapitur duke trajtuar të tjerë të rraskapitur, të uriturit duke ndihmuar të uriturit, të dobëtit duke i ndihmuar të dobëtit,” tha Saqer.

Doktori Fadel Naim, kirurg dhe drejtor i Spitalit Al-Ahli Al-Arabi në veri të Gazës, konfirmon për CNN-in se edhe stafi i tij është në gjendje të rëndë.

“Për shkak se jam drejtori i spitalit, një nga detyrat e mia është të gjej ushqim për stafin, nuk po marrim mjaftueshëm ushqim. Nëse arrijmë ta kemi një vakt në ditë, jemi me fat, dhe shumica e stafit punojnë 24/7 – është shumë e vështirë të vazhdojmë kështu”.

Madje dy mjekë në spitalin e tij kanë rënë pa ndjenja gjatë ndërhyrjeve kirurgjikale këtë javë.

Gjendja nuk është më e lehtë as në spitalin e pediatrisë në Kompleksin Mjekësor Nasser. Drejtori i këtij spitali, Dr. Ahmad Al-Farra, thotë se uria po ndikon rëndë edhe në shëndetin mendor e emocional të stafit.

“Shumica e tyre tani vuajnë nga depresioni, dobësia e përgjithshme, paaftësia për t’u përqendruar dhe humbja e kujtesës. Niveli i tyre i energjisë është jashtëzakonisht i ulët, krejt ndryshe nga më parë. Shumë prej tyre e kanë humbur pasionin për jetën”.

Sipas tij, kuzhina e spitalit është zbrazur dhe tashmë as kuzhina ndërkombëtare që i ushqente mjekët dhe infermierët nuk funksionon më.

“Të gjithë ata që punojnë në spital janë pa ushqim. Mjekët dhe infermierët po punojnë në turne 24-orëshe me stomak bosh”, përfundoi ai.

Back to top button