Mbrëmë, afër një kafeterie në Runik të Skendeajt ka pasur të shtëna me armë zjarri.
Një 28-vjeçar V.P., dyshohet se kërcënoi duke gjuajtur me kallashnikov, për motive ende të panjohura. Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se ngjarja kishte ndodhur afër një kafeterie dhe një pompe në këtë fshat, kur i dyshuari shkrepi armën disa herë, derisa viktima që gjendej në këtë lokal u largua nga aty. Përveç tij, nga vendi i ngjarjes iku edhe i dyshuari, i cili tentoi t’u shpëtojë prangave të Policisë, por pas një kohe u arrestua.
Ndërkohë Policia ka gjetur katër gëzhoja të armës që u përdor, si dhe me rastin e kontrollit policor te i dyshuari është konfiskuar edhe arma e gjatë automatike.
I njëjti pas arrestimit është shoqëruar në stacion policor ku është intervistuar nga hetuesit për veprat me të cilat ngarkohet.
Burimet thonë se Prokurori i Shtetit ka urdhëruar ndalimin e tij në kohëzgjatje prej 48 orësh, nën dyshimet për “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm dhe Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.