Një propozim radikal dhe të menjëhershëm e ka bërë Renata Alt, deputete në Bundestagun gjerman nga Partia Demokratike e Lirisë, parti e krahut liberal në Gjermani.
“Negociatat e anëtarësimit në Bashkimin Evropian me Republikën e Serbisë duhet të ngrihen. Aleksandër Vuçiç na paska mashtruar për një kohë të gjatë”, ka shkruar Alt në llogarinë e saj në Twitter.
Zbulimin për mashtrimin e presidentit serb, Alt e ka bërë pas reagimit të tij ndaj deklaratave të kancelarit gjerman, Olaf Scholz, se Serbia duhet ta njohë Kosovën.
Vuçiç për këtë kërkesë tha se është i befasuar, meqë është hera e parë që një evropian ia kërkon njohejn e Kosovës.
“Na e kërkonin amerikanët, por jo edhe në Evropë. Kjo është hera e parë”, deklaroi Vuçiç.
Këtë reagim të serbit, Alt e ka quajtur “skandaloz”.
“Reagimi i Presidentit të Serbisë gjatë konferencës për media mbi kërkesën për njohje të Kosovës është skandaloz”, shkroi ajo.
Alt aktualisht është kryetare e Komisionit për të Drejtat e Njeriut dhe Ndihmën Humanitare.
Por, ajo di shumë për politikën në Ballkan, meqë për një kohë të gjatë ka shërbyer në Komisionin për Politika të Jashtme, ku ka qenë edhe raportuese për Rusinë, Evropën Qendrore, Evropën Lindore dhe Ballkanin.
Ajo gjithashtu është zëvendës-shefe e Grupit Parlamentar për Raporte Miqësore me Shqipërinë, Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë.