Të gjithë drejtorët japin dorëheqje pas kërkesës së Ramës në Bashkinë e Vlorës
Pas një vizite të papritur të kryeministrit Edi Rama në Bashkinë e Vlorës, ka nisur një seri dorëheqjesh që kanë përfshirë të gjithë drejtorët e këtij institucioni.
Mësohet se procesi i dorëheqjeve ka nisur që ditën e djeshme, menjëherë pas një takimi me dyer të mbyllura mes Ramës, kryebashkiakut Ermal Dredha dhe ministrit të Pushtetit Vendor, Arbjan Mazniku.
Rama ka qenë i prerë në kërkesën e tij drejtuar Dredhës: të kërkojë dorëheqjen e të gjithë drejtorëve. Dhe urdhri është zbatuar pa asnjë hezitim.
Ky veprim, i rrallë për një kryeministër që ndërhyn në një institucion vendor, ndodh në një kohë kur pakënaqësitë e Ramës me punën në Vlorë kanë qenë të njohura publikisht. Dy javë më parë, gjatë një feste të Partisë Socialiste, u vu re një përplasje e ftohtë mes tij dhe kryebashkiakut Dredha.
Mbledhja e djeshme në Bashkinë e Vlorës zgjati rreth 90 minuta dhe përveç Ramës dhe Dredhës, morën pjesë edhe deputetët në largim si dhe ata të zgjedhur më 11 maj.